VALENTINA MADANI/ Kryesia e PD-së nisi dje proçedurat për zgjedhjen e kreut të ri të PD-së duke caktuar modalitetet e procesit zgjedhor që do të zhvillohet në fund të muajit korrik.

Ky forum vendosi që të thërrasë mbledhjen e Këshillit Kombëtare me 20 qershor, me qëllim për të nisur organizimin e proçesit për zgjedhjen e kryetarit të ri. Procesi zgjedhor drejtohet nga Komisioni Zgjedhor i Partisë. Ndërkohë pranë Komisionit Zgjedhor, secili kandidat paraqet kërkesën për kandidim brenda datës 20 Qershor 2023. Fushata zgjedhore për kryetarin e ri zhvillohet nga data 24 Qershor deri në datën 27 korrik 2023. Ndërsa zgjedhjet për kryetar të PDSH zhvillohen në datë 29 korrik 2023. Kuvendi i jashtëzakonshëm statutor zhvillohet brenda muajit shtator 2023.

Kujtojmë që Kryesia e PD u mblodh me kërkesë të 1/5 së anëtarëve të saj. Në mungesë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhit, i cili pas përplasjeve të fundit zgjodhi të bojkotojë mbledhjen, kryesia e PD u mblodh për të vendosur emrat e komisionit Zgjedhor si dhe ngritjen e grupeve të punës që do ndjekin procesin e zgjedhjeve për kryetar. Gazmend Bardhi I kërkoi kryesisë që të mbledhë Këshillin Kombëtar për të miratuar vendimet për zgjedhjet e 29 korrikut dhe po ashtu edhe për miratimin e Komisionit Zgjedhor. Mbledhjen e bojkotuan edhe 8 anëtarë të tjerë të kryesisë të cilët në mbledhjen e fundit refuzuan hapjen e garës për kryetarin e Partisë.

Mes tyre dhe deputetët Helidon Bushatim, Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Dhurata Çupi apo Dashnor Sula. Sekretari i Përgjithshëm dhe njëherësh Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi ka kundërshtuar hapat që po ndiqen nga kryesia për zgjedhjet për kryetar, duke i quajtur anti-statutore ato. Së pari, ai thotë se anëtarësia përcaktohet nga Sekretariatet e Degëve dhe jo nga krerët e degëve, sikurse përcakton kryesia ndërsa kundërshton edhe anashkalimin që kryesia i bëri mbledhjes së Këshillit Kombëtar për hapjen e garës.

Gazment Bardhi argumenton se do të informojë Këshillin mbi procesin sesi Statuti parashikon për cerrtifikimin e antarësisë, ndërkohë që vendimi i fundit i Kryesisë ka parashikuar një procedurë që nuk njihet nga Statuti, duke marrë kompetencat e Këshillit Kombëtar, të Sekretarit të Përgjithshëm dhe të kryesisë së degëve. Anëtarët që morën pjesë në mbledhjen e thirrur në PD ishin Enkelejd Alibeaj, Taulanda Jupi, Gentian Gaba, Endri Hasa, Xhemal Gjunkshi, Kreshnik Collaku, Gazmend Konduzi, Taulant Zeneli, Agron Kapllanaj, Indrit Sefa dhe Fitim Zekthi.

Mësohet se gjatë mbledhjes së djeshme u diskutua miratimi i grupeve të punës për mbikëqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PDSh; miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike” dhe plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor. Në njoftim thuhet se; “në mbështetje dhe zbatim të nenit 45, pika 4, fjalia e parë, të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, me kërkesë të 1/ 5 (një të pestës) së anëtarëve të Kryesisë së Partisë, njoftojmë mbledhjen e Kryesisë me rend dite si vijon:

1- Miratimin e grupeve të punës për mbikqyrjen e procesit të evidentimit të listave të anëtarësisë në Degët e PDSh;

2- Miratimin e rregullores së brendshme “Mbi modalitetet e procesit zgjedhor për Kryetar të Partisë Demokratike”;

3- Plotësimin e vakancave dhe emërimin e anëtarëve të Komisionit Zgjedhor; Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet ditën e Enjte, datë 15 qershor 2023, ora 17:00 në Sallën e Mbledhjeve të Selisë së Partisë Demoraktike në rrugën Donika Kastrioti, Tiranë.

Takimi

Ish-kryetari i PD, Lulzim Basha takoi dje demokratët në Dibër, ku në ‘Facebook’ shkruan se këta të fundit kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme për të ardhmen e partisë dhe të vendit. Basha shprehet se demokratët do të bashkohen përmes vlerave dhe do të lënë pas hatërmbetjet e shkaktuara, dhe PD do të kthehet pranë qytetarëve duke i dëgjuar dhe ofruar një alternativë për problemet e tyre. Ndër të tjera ai thekson se demokratët duhet të “shtrijnë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që është gati për të ndryshuar nga themelet sistemin politik, për të kthyer vendimmarrjen te qytetarët nëpërmjet listave të hapura, vetting-ut të politikanëve, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës”.

“Me demokratët dhe qendrestarët e Partisë Demokratike të Dibrës diskutuam hapur mbi të gjitha çështjet që kërkojnë vendimmarrje të rëndësishme për të ardhmen e forcës sonë politike dhe të Shqipërisë. Demokratët do të bashkohen përmes vlerave, duke lënë pas mendësinë konfliktuale dhe ndasitë artificiale të shkaktuara nga interesi personal i një individi që për hallin personal ndezi zjarrin e ndasisë brenda familjes tonë politike. Që Partia Demokratike të kthehet pranë qytetarëve, të dëgjojë ata dhe të ofrojë një alternativë për problemet e tyre, duhet të shkëputet nga teatri shterp i politikës, që asgjë të mirë nuk sjellë për jetët e njerëzve.

Partia më e madhe e 14 majit ishte ajo e shumicës së heshtur që refuzoi të zgjedhë midis dy të këqijave. Ne duhet të shtrijmë dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo që është gati për të ndryshuar nga themelet sistemin politik, për të kthyer vendimmarrjen te qytetarët nëpërmjet listave të hapura, vetting-ut të politikanëve, kufizim të mandatit të kryeministrit dhe garantimin e votës së diasporës”, – shprehet Lulzim Basha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re