Edicioni i XII i Regatës së Salentos “BRINDISI-VALONA” u prezantua zyrtarisht në rajonin e Pulias, duke i hapur rrugë zhvillimit të garave sportive me vela nga data 6 deri më 9 korrik në Marinën e Orikumit, partner zyrtar i Lega Navale Italiana.

 

Kjo është një garë ndërkombëtare që njihet ndryshe edhe si “Regata e Miqësisë”, pasi sjell në kujtesë eksodin e popullit shqiptar në vitin 1991, duke vlerësuar bujarinë e treguar nga ana e qytetarëve të Brindisit.

 

Regata Ndërkombëtare “Brindisi-Valona” përmban një program të ngjeshur aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me ceremoninë e dhënies së çmimeve, ku do të jenë të pranishëm autoritetet më të larta të Rajonit të Puljas, Marinës Ushtarake Italiane, përfaqësues të institucioneve, deputetë, si dhe Kryetari i Bashkisë së Brindizit, z. Pino Marchionna, Presidenti i Federatës së Velave Italiane, z. Andrea Retuçi, si dhe Presidenti i Lega Navale Italiane, z. Salvatore Zarcone.

 

Organizimi për të dytin vit radhazi i kësaj Regate në Shqipëri iu besua grupit “Concord Investment” dhe për të konfirmuar zhvillimin e saj me sukses, eventin e përshëndeti Drejtori i Përgjithshëm i Marinës së Orikumit, z. Arian Ruhi, si dhe Administratori i Përgjithshëm z. Junald Bajraktari.

 

Ndërkohë që partnerë zyrtarë të kësaj Regate Ndërkombëtare janë kompania shtetërore “Versalis-ENI” dhe Universiteti i Salento-s, të cilët u përfaqësuan përkatësisht nga Drejtori i Uzinës së Brindizit, z. Luca Piludu dhe nga Rektori i UNISALENTO-s, Prof. Fabio Pollice.

 

Kjo garë do të jetë një ngjarje e rrallë sportive për Shqipërinë, pasi do të lundrojnë qindra barka me vela, duke i dhënë kështu një impakt pozitiv zhvillimit të sporteve ujore, por edhe vetë turizmit shqiptar. Gjithashtu, për herë të parë në një Regatë Ndërkombëtare, do të konkurrojnë dy barka-vela shqiptare, duke i dhënë një shtysë të mirë zhvillimit të këtij sporti mjaft të përhapur në Europë, por tashmë edhe në vendin tonë.

 

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Presidenti i Rajonit të Puljas, z. Michele Emiliano, si dhe Kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Vlorës, z. Ermal Dredha, do të jenë të pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve. Ata do të mbërrijnë në Marinën e Orikumit në bordin e një hidroplani, të vendosur në dispozicion nga ana e qeverisë italiane.

 

Ndërkohë që përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i ekzekutivit shqiptar, Edi Rama, drejtoi një ftesë të hapur për këdo që admiron sportet e ujit ose ka dëshirë të sodisë një pamje romantike si ajo e varkave me vela, që gjatë këtyre ditëve duhet të vizitojë Marinën e Orikumit.

 

Marina e Orikumit është ndryshe pikë-stacioni i vetëm në Shqipëri që ofron shërbime ankorimi, apo mirë-mbajtje profesionale për të gjitha llojet e barkave me vela, apo edhe yacht-et e madhësive të ndryshme, e pozicionuar në një pikë mjaft strategjike të Gjirit të Vlorës, aty ku pikë-takohen dy detet, ai i Adriatik-ut me atë të Jon-it.

 

Investimi i realizuar nga ana e “Concord Investment” në Marina Orikum vjen në një moment mjaft të mirë për Shqipërinë, teksa konstatohet se janë rritur ndjeshëm numrat e vizitorëve të huaj, të cilët po e vizitojnë vendin tonë në të gjitha stinët e vitit. Gjithashtu ky investim dinjitoz në Marina Orikum është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri dhe që ndikon direkt në zhvillimin e një industrie mjaft të rëndësishme, siç është “ekonomia blu”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re