Skip to content

Garancia sovrane 2/ 15 mld lekë për garancinë për bizneset e prekura nga COVID

Qeveria shqiptare ka dhënë 15 miliardë lekë mbështetje për garancinë e dytë sovrane, duke u ofruar një mundësi financimi të gjithë sipërmarrjeve që u prekën nga pandemia.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Financave, Anila Denaj në një status në facebook duke shkruar se garancia sovrane 2 ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet që kanë një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore, duke përjashtuar ato biznese që cilësohen si kreditorë të këqij.

Postimi i ministres

Garancia Sovrane II, ofron mundësi financimi për të gjitha sipërmarrjet e ndikuara në aktivitet nga situata e pandemisë dhe me një historik pozitiv të marrëdhënies kreditore. Qeveria  garanton 60% të principalit të çdo huaje, që bankat do të lëvrojnë për biznesin, sipas eksperiencave më të mira ndërkombëtare. Ky instrument:

 Është në dispozicion për sipërmarrësit në të gjithë sektorët e ekonomisë
 Synon të jetë burim për kreditimin e kompanive për kapital qarkullues dhe investime
 Ofron mundësi financimi me një afat shlyerjeje deri 5 vjet
 Ofron hapësirën për të mos paguar principalin për një periudhë jo më pak se 6 muaj

 Ftojmë të gjitha bizneset, të mobilizojnë fondet e nevojshme për kapërcimin e efekteve të pandemisë dhe për të hedhur hapat drejt rimëkëmbjes së aktivitetit dhe ekonomisë. 

 Prej javës së ardhme bizneset mund të shprehin interesin pranë të gjitha bankave të nivelit të dytë.