Subscribe

Nje ditë pasi negociatat per bashkimin e Partisë Demokratike dështuan, PD e drejtuar nga Sali Berisha nisi punën për përzgjedhjen e kandidatëve dhe për betejën e 14 majit.

 

Komisioni zgjedhor në Partinë Demokratike sqaroi rregullat per organizimin e primareve, proces i cili së pari u zbatua per zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe tani do të aplikohet në 72 degë të PD.

 

Të gjithë anëtarët e këtij komisioni theksuan se do të garantojnë një proces të lirë, të ndershëm me kushte të barabarta, garë për të gjithë ata që bëhen pjesë e primareve.

 

KELTIS KRUJA

 

“Ky process mbi të gjithë ka për qëllim fitoren  e PD në këto zgjedhje vendore dhe për këtë ne do të garantojmë zgjedhje të lira dhe të barabarta.”

 

Për herë të parë në primare do të zbatohet balotazhi, nëse asnjë prej kandidatëve nuk merr 50 +1 % të votave, si dhe do të votojnë simpatizantët.

 

ENO BOZDO

KOMISIONI I ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE

 

“Këtu përcaktohen edhe dy gjera të rëndësishme që nuk i kemi pasur në primaret e para më 6 mars: vendosja e balotazhit dhe vendosja e një debati midis kandidatëve të PD në primare që vlen për anëtarët, simpatizantët dhe të gjithë të tjerët që janë të interesuar ta ndjekin.”

 

Afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave për primaret për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin është e diela e 6 nëntorit, ndërsa për bashkitë e tjera është data 8 nëntor.

 

Në 13 nëntor për kandidatët zyrtarë nis fushata elektorale dhe data e votimit për primaret është 4 dhjetori.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re