Mes pikëpyetjesh të forta mbi ligjshmërinë e procesit, ministria e infrastrukturës ka anuluar një nga lotet e tenderuar për ndërtimin e rrugës Kardhiq- Delvine. Kjo do të thotë që tenderi me vlerë 2.3 miliard lekë do të kryhet nga e para.

 

Ministria thotë se ka tagrin për të rialokuar paratë në projekte të tjera, që janë në ecuri më të shpejtë të punimeve. Ministrja Belinda Balluku ju përgjigj interesit të medias duke thënë se punimet në këtë rrugë vijojnë normalisht në segmentet e tjera, ndërsa për lotin e pezulluar punimet do të shtyhen në kohë.

 

Ministrja nuk dha një argument bindës të anulimit të këtij tenderi, i cili ishte në fazën finale.

 

Por historiku i procedurave të tij ngre hije dyshimi për ligjshmërinë. Pas përfundimit të garës, Autoriteti Rrugor shpalli fitues kompaninë me çmimin më të lartë të ofruar, duke argumentuar se të tjera nuk plotësonin kriteret teknike. Por ky vendim u ankimua në komisionin e prokurimeve nga kompania që kishte ofruar çmimin më të ulët, duke hedhur poshtë vendimin e autoritetit.

 

Tashmë autoriteti rrugorë do të shpallë një datë të re për hapjen e garës,e cila parashikohet të ndodhë në vitin e ardhshëm. Ky aks konsiderohet një nga projektet me strategjike ne infrastrukture pasi shkurton ndjeshëm distancën drejt Sarandës.