Skip to content

Gastroenteriti te fëmijët, simptomat, trajtimi dhe parandalimi

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Dr. Irma Hajdari, mjeke pediatre pranë Urgjencës pediatrike, QSUNT

 Çfarë është Gastroenteriti?

Gastroenteriti është inflamacioni akut i stomakut dhe zorrëve që karakterizohet me të vjella, diarre, ethe, dhe dhimbje barku. Preken kryesisht fëmijët e moshave 3 muaj deri në 5 vjeç. Fëmijët deri në 3 muaj janë të mbrojtur nga antitrupat e mbartura nga nëna.

Kohët e fundit përdoret më tepër termi Sëmundja diarreike. Në vendin tonë kjo sëmundje zë vendin e dytë pas  sëmundjeve të aparatit të frymarrjes.

Shkaktarët e Gastroenteritit apo sëmundjeve diarreike për rreth 1/3 të rasteve janë viruset, e më shpesh rotaviruset e adenoviruset. Të tjerë shkaktarë jane salmonelozat, baktere të cilët një pjesë të mirë të rasteve jetojnë në mukozën e zorrëve, në disa individë që quhen mbartës. Ato mbarten nga kafshët te njeriu me konsumim të produkteve shtazore të papërpunuara mirë.

Si në format virale edhe ato bakteriale, faktorët që çojnë në një Gastroenterit apo diarre te femijet janë:

  • Ndryshimet e stinëve apo kushteve klimaterike;
  • Higjena ushqimore e nënës dhe e fëmijës;
  • Kontaktet e ngushta me individë të sëmurë.

Simptomat te fëmijët janë:

  • Të vjella të shpeshta, në fillim ushqimore dhe më vonë edhe me ngjyrë të verdhë në jeshile, të cilat quhen të vjella biliare;
  • Dhimbje të forta stomaku ose barku;
  • Diarre e ujshme, mbi 4-5 të dala në ditë më ngjyrë të verdhë deri në jeshile të errët dhe në rastet më të rënda edhe me permbajtje gjaku;
  • Lodhje e këputje e fëmijës;
  • Të qara të forta të vazhdueshme, ndonjëherë edhe humbje vetëdijes deri në lipotimi, rrallë edhe konvulsione;
  • Temperatura 38-39 °C , e shoqëruar me ethe të forta.

Prindi duhet të drejtohet për ndihmë mjekësore kur fëmija paraqet këto shenja klinike:

Nuk ushqehet pothuaj fare, ka etje të shtuar, buzë dhe mukoza të thata, lëkurë e thatë. Lodhje e shprehur, gjendje të fikti, vjell gjithcka që merr nga goja ose bën diarre të ujshme mbi 4-5 herë në ditë, ka temperaturë të lartë që nuk  mund të menaxhohet nga prindi ose ethe të shprehura.

Në këto raste gjithmonë duhet kërkuar ndihma mjekësorë në qendrën shëndetësore më të afërt ose në spital ku reidrohet fëmija.

Si bëhet trajtimi i Gastroenteritit?

Në kushte shtëpie bëhet dhënia e lëngjeve nga goja, uji, caji, trisol. Këto jepen lugë – lugë, pak e shpeshherë, të alternuara me njëra tjetrën. Mund të fillohet përdorimi i probiotikëve të cilat janë preparate që rregullojnë bioflorën e sistemit tretës e që jepen e jepen pa recetë në farmaci. Për këtë duhet të këshilloheni me mjekun e familjes ose farmacistin. Antipiretikët përdoren nëse fëmija ka temperaturë mbi 38 °C. Nëse me këto masa nuk arrihet që fëmija të mbahet i rehidruar, atëhere prindi duhet ti drejtohet qendrës shëndetësore, ku me ndihmën e mjekut apo infermieres fillon rehidrimi i kombinuar intravenoz dhe vazhdohet njëkohësisht ai oral, pra dhënia e lëngjeve. Në rrugë venoze lengjet që merren janë solucioni fiziologjik 0,9% e solucioi glukozë 5%.

Në rastet më të rënda, kur nuk arrihet rehidrimi  dhe vazhdojnë humbjet e lëngjeve, fëmija drejtohet për në spital ku trajtohet sipas protokolleve të caktuar.

Si diagnostikohet?

Diagnoza e Gastroenteriteve vendoset në bazë të shenjave klinike të përmendura më lart, në më të shumtën e rasteve, por ka dhe raste kur nevojitet analizë gjaku, analizë fece dhe eko abdominal, sidomos në format e mesme e të rënda dhe ato me ndërlikime.

Sapo të fillojnë shenjat e para, prindi duhet të fillojë të japë lëngje për ta mbajtur të rehidruar fëmijën. Lëngjet janë uji, trisoli, kosi, supra të lehta, komposto të përgatitura në shtepietj.

Në cdo rast duhet bërë vazhdimi i ushqyerjes me gji në fëmijë të vegjël nën 1 vjec, të matet rregullisht temperatura trupore, dhe në raste temperature mbi 38 °C i duhet dhënë fëmijës barna antipiretike si paracetamol apo ibuprofen.

Duhet bërë shumë kujdes për higjenën ushqimore të fëmijës dhe të veshjes. Të lahen duart shpesh me uje të pastër e të rrjedhshëm, të lahen mirë me ujë të rrjedhshëm frutat e perimet dhe enët e përdorura për gatim.

Fëmija të mbahet në kushte shtëpie në temperatura optimale 24 – 25 °C dhe të kufizohen frekuentimet në komunitete për të kufizuar përhapjen e sëmundjes

Komplikacionet e rrezikshme që mund të ndodhin te Gastroenteritet janë vetëm në format e patrajtuara mirë .

  • Dehidrimi i fëmijës në forma të mesme dhe të rënda, ku fëmija paraqitet tepër i thatë, lëkura është e thatë me elasticitet të ulur, me turbor të ulur dhe buzët janë të thata, fëmija qan pa lot pasi mukozat e syrit janë gjuthashtu të thata;
  • Apendisiti akut që vjen si pasojë e dehidrimit por dhe si pasojë e inflamacionit që ka ditë që është përreth zorrëve të holla. Apendisiti akut mund të vijë edhe si ndërlikim por edhe si patologji primare dhe në të gjitha raste duhet bërë vlerësimi i mirë i fëmijës;
  • Ethja e shprehur me frisone dhe konvulsione, në këto raste fëmija duhet të drejtohet patjetër në një qendër shëndetësore;
  • Pasojë e Gastointeriteve apo interiteve të zgjatura është dhe ethja interike ose ethja tifoide e cila vjen në format e Gastroenteritit të cilat janë nga salmoneloza. Edhe në këto raste fëmija duhet të drejtohet tek mjeku pediatër ose në spital.

Këto komplikacione mund të shmangen nëse zbatohen këshillat e dhëna më lart, dhe gjithmonë duhet kërkuar ndihma e mamive, mjekëve pediatër të familjes për këshilla në drejtim të rehidrimit, të ushqimit, sidomos për nënat e reja.

Si mund të parandalohet Gastroenteriti?

Duke theksuar se në të shumtën e rasteve këto patologji janë virale, ato mund të parandalohen me masa të lehta në shtëpi si : ushqyerje korrekte e fëmijës, higjenë e mirë e nënës dhe fëmijës, shmangia e qëndrimit për një kohë të gjatë në ambiente të nxehta apo të ftohta, distancim nga fëmijë të kontaminuar, vizita të rregullta te mjeku pediatër i fëmijës për vlerësimin e gjendjes së ushqyerjes dhe të rritjes.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë