Viti i Ri do t’i gjejë familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019 në kryeqytet me shtëpi të reja.

 

Tre pallatet e para në lagjen e re “5 Maji” të ndërtuar nga Programi i Rindërtimit në Tiranë janë tashmë gati për të pritur familjet që do të marrin çelësat e apartamenteve të reja të projektuara nga arkitekti i njohur Stefano Boeri.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë lajmin e shumëpritur për këta banorë, së bashku me fotot e pallateve të reja dhe moderne, të sapo përfunduara në një prej lagjeve më të mëdha të ringritura pas tërmetit shkatërrues të dy viteve më parë.

 

“Gati 3 pallatet e para tek “5 Maji”! Kush bashkëpunon për të zgjidhur strehimin e tërmetit, do marrë zgjidhjen e premtuar për banesë më të fortë e më të bukur,” shkruan kryebashkiaku Veliaj.

 

Ai ka deklaruar nga ana tjetër se ata që sot zihen për brava dhe karriget e veta janë prova më e qartë e politikës së baltës, bllokimit dhe anatemimit të punëve në Tiranë. “Kush e përdor 5 Majin për “karrige e brava”, le të mendojë më mirë për bravat e karriget e shtëpisë së vet, se të SHQUP-it,” ironizon ndër të tjera kreu i Bashkisë.

 

Lagjja e re “5 Maji” në Tiranë e cila do të strehojë mbi 11 mijë banorë, ose 3175 familje do të krijojë një strukturë policentrike të qytetit të Tiranës me qëllim kapërcimin e konceptit “qendër-periferi”, me hapësira të gjelbra dhe blloqe ndërtimi të karakterizuara nga prania e shërbimeve, funksioneve shtyrëse për zhvillimin e mëtejshëm dhe rigjenerimin urban.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re