Në një shfaqje të paprecedentë uniteti, më shumë se 47 milionë profesionistë shëndetësorë, pacientë, avokatë, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile dhe individë në mbarë botën kanë nënshkruar një thirrje për veprim urgjent për të reduktuar ndotjen e ajrit dhe për të mbrojtur shëndetin e njerëzve nga ndikimet e tij shkatërruese.
Ndotja e ajrit është një nga kërcënimet më të mëdha mjedisore për shëndetin e njeriut dhe një kontribues i madh në ndryshimet klimatike. Rreth 7 milionë njerëz vdesin çdo vit nga ndotja e ajrit, kryesisht nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe kardiovaskulare.
Kjo thirrje globale për veprim, e udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe organizatat ndërkombëtare të shëndetit do të prezantohet në Konferencën e Dytë Globale mbi Ndotjen e Ajrit dhe Shëndetin, që do të zhvillohet në Kartagjenë, Kolumbi, më 25-27 mars 2025.
“Dyzet e shtatë milionë njerëz nga komuniteti shëndetësor kanë bërë një thirrje të qartë për veprim urgjent, të guximshëm, të drejtuar nga shkenca mbi ndotjen e ajrit dhe zërat e tyre duhet të dëgjohen”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së. Në të gjithë botën, OBSH po mbështet vendet për të trajtuar ndotjen e ajrit dhe për të parandaluar sëmundjet që shkakton. Në Konferencën e dytë të OBSH-së për Ndotjen e Ajrit dhe Shëndetin në Kartagjenë, ne shpresojmë të shohim angazhime konkrete nga vendet për të zbatuar zgjidhje dhe për të shpëtuar jetë.
E organizuar nga OBSH dhe Qeveria e Kolumbisë, konferenca do të bashkojë liderë politikë, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, agjencitë e OKB-së për të drejtuar një axhendë globale për ajër të pastër që premton përfitime për shëndetin publik, reagimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si në nivel global ashtu edhe në atë lokal.
Për shkak të tejkalimit të niveleve të ndotjes së ajrit , komuniteti shëndetësor po u bën thirrje qeverive të ndërmarrin hapa të menjëhershëm dhe ambicioz për të reduktuar emetimet, zbatimin e standardeve më të rrepta të cilësisë së ajrit dhe kalimin në burime më të pastra të energjisë, duke zhbllokuar përfitime të shumta për shëndetin e njerëzve dhe planetit. Tema do të jetë gjithashtu një fokus përpara Takimit të Nivelit të Lartë të OKB-së 2025 për sëmundjet jo të transmetueshme (NCD), ku liderët botërorë do të thirren për të ndërmarrë veprime më të forta.
Faktet kryesore:
Ndotja e ajrit si në qytete ashtu edhe në zonat rurale gjeneron grimca të imëta që rezultojnë në NCD si goditje në tru, sëmundje të zemrës, kancer të mushkërive, sëmundje kronike të frymëmarrjes si dhe kushte akute si pneumonia.
Rreth 2.1 miliardë njerëz janë të ekspozuar ndaj niveleve të rrezikshme të ndotjes së ajrit në shtëpi, ndërsa përdorin zjarre të hapura ndotëse ose soba për gatim.
Sëmundjet jo të transmetueshme (NCD), janë ndër shkaqet kryesore të vdekjeve, shumë prej tyre janë të lidhura me ekspozimin ndaj ndotjes së ajrit. Epidemia globale e NCD merr 41 milionë jetë çdo vit. Trajtimi i ndotjes së ajrit është një strategji kyçe për reduktimin e barrës së sëmundjeve jokronike dhe përmirësimin e shëndetit global.
Burimet e ndotjes së ajrit janë të ndryshme dhe specifike për kontekstin. Burimet kryesore të ndotjes përfshijnë burimet ndotëse të energjisë të përdorura në shtëpi, prodhimin e energjisë, emetimet industriale, transportin, bujqësinë, mbeturinat si dhe burimet natyrore si stuhitë e shkretëtirës dhe pluhurit ose zjarret.
Përmirësimi i cilësisë së ajrit duke zbatuar zgjidhje të njohura dhe të disponueshme do të parandalojë vdekjet e parakohshme, do të përmirësojë shëndetin, do të nxisë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe do të zbusin ndryshimet klimatike.
Në konferencë, vendet pritet të angazhohen për masa konkrete, duke përfshirë vendosjen dhe zbatimin e standardeve më të forta të cilësisë së ajrit në përputhje me Udhëzimet Globale të Cilësisë së Ajrit të OBSH-së. OBSH, në bashkëpunim me Institutin Zviceran të Shëndetit Tropical dhe Publik (TPH Zviceran), ka zbuluar bazën e përditësuar të Standardeve të Cilësisë së Ajrit 2025 muajin e kaluar, e cila tani përfshin të dhëna nga afërsisht 140 vende, duke treguar përpjekjet e tyre rregullatore të ndotjes së ajrit që synojnë mbrojtjen e shëndetit publik.
“Ndërsa sfida është e madhe, përparimi është i mundshëm, shumë qytete dhe vende kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit duke zbatuar kufij më të rreptë të ndotjes”, tha Dr. Maria Neira, Drejtoresha e OBSH-së për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike dhe Shëndetin.
“Ajri i pastër nuk është një privilegj; ai është një e drejtë e njeriut siç njihet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Ne duhet të punojmë urgjentisht për të rritur kalimin nga energjia me qymyr në energjinë e rinovueshme, duke zgjeruar transportin publik dhe të qëndrueshëm, duke krijuar zona me emetim të ulët në qytete dhe për të promovuar energjinë e pastër për gatim dhe energjinë diellore”.
Angazhimet e marra në Konferencën e Dytë Globale për Ndotjen e Ajrit dhe Shëndetin dhe në Takimin e Nivelit të Lartë të OKB-së për NCD- të do të luajnë një rol vendimtar në hapjen e rrugës për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për të gjithë. Tani është koha për t’ju bashkuar thirjes dhe për të rritur përpjekjet për ajër më të pastër, kudo./Who-shendeti.com.al