Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi nisjen e procedurave të përshpejtuara për ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekaj. Drejtoria përkatëse në organin  qendror të akuzës ka bërë gati dosjen, e cila pritet të kalojë përmes Ministrisë së Drejtësisë tek autoritetet gjermane, aty ku pronari i kompanisë Arbri Garden, u arrestua ditën e premte.

 

Burime zyrtare pohuan se ekstradimi pritet të bëhet në një kohë të shpejtë, duke mos krijuar zvarritje në ekstradim e po ashtu edhe për ti dhënë shtysë hetimeve për sasinë prej 613 kilogramë kokainë të zbuluar në një kontenier me banane dy muaj më parë në Durrës.

 

Arber Cekaj u arrestua të premten në një operacion të fshehtë në një provincë të Dyseldorfit në Gjermani. Ai fshihej në një banesë dy katëshe dhe në momentin e arrestimit nuk bëri rezistencë. Çekaj në Gjermani përdorte një identitet tjetër, duke shfrytëzuar mbiemrin Jansen te bashkëshortes së tij të huaj.

 

Arrestimi i Arbër Cekajt u përshëndet edhe kryeministri Rama dhe ministri i brendshëm Xhafaj, e po ashtu edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Vetë Ambasadori Lu e kishte paralajmëruar kapjen e tij pak para se të konfirmohej lajmi i arrestimit. Ndërsa më vonë, ambasada e ilustroi operacionin e policisë me kapjen e nje peshku të madh.

 

Aktualisht për trafikun e 613 kilogramëve kokainë janë në burg shoferi i kamionit, si dhe menaxheri i firmës. Të dy ata e kanë mohuar përfshirjen ne organizate, por megjithatë kanë mbetur në burg ku do të qëndrojnë deri në fund të hetimeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re