Shteti i Alabamës po shqyrton mundësinë e kryerjes së një tjetër ekzekutimi të një të dënuari duke përdorur azot, pavarësisht se procedura e parë ditë më parë u kritikua për shkak të vuajtjes së tepërt të të dënuarit.

Prokurori i Përgjithshëm i shtetit i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të Alabamës që të caktojë një datë ekzekutimi për 59-vjeçarin Alan Eugene Miller, i cili është dënuar me vdekje që nga viti 2000. Ai u dënua për vrasjen e tre personave në një vend pune.

Në janar, shteti ekzekutoi një të burgosur tjetër, Kenneth Eugene Smith, me gaz azot. Sipas gazetarëve të pranishëm në ekzekutim, Smith u trondit dhunshëm përpara se të shpallej i vdekur 25 minuta më vonë.

Megjithëse avokatët e Smith kundërshtuan metodën, shteti argumentoi se ajo ishte “efikase dhe humane”.

Siç thekson BBC, OKB-ja e ka dënuar metodën e azotit si brutale.

Miller i mbijetoi një tentative të mëparshme ekzekutimi me injeksion vdekjeprurës në shtator 2022. Ekzekutimi u anulua sepse nuk mund të përfundonte deri në mesnatë, siç kërkohet me ligj.

Pas përpjekjes së dështuar, Miller ngriti një padi federale në të cilën ai pretendon se stafi i burgut, duke u përpjekur të gjente një venë, e goditi me gjilpëra për më shumë se një orë.

Thithja e azotit të pastër ndërpret furnizimin me oksigjen në tru. I dënuari humb ndjenjat dhe pak minuta më vonë vdes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re