Dy godinat e konvikteve të Fakultetit të Mjekësisë, të cilat u dëmtuan rëndë nga tërmeti i nëntorit 2019, janë rindërtuar dhe janë gati të presin 400 studentë në mjedise tërësisht të reja.

 

Erion Veliaj tha se ashtu si me shkollat e reja, bashkia ka investuar edhe për të rinjtë që zgjedhin të studiojnë në universitetet publike të Tiranës.

 

“Kemi kaluar gjithë gushtin dhe fillimin e shtatorit për t’u bërë gati për shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet, por siç e kërkon rendi i punëve, shtatorin dhe fillimin e tetorit e kemi shfrytëzuar për t’u bërë gati për të pritur studentët. Për ata që pyesin se ‘çfarë janë këto dy ndërtesat e bukura te “Farmacia 10”’ – shumë njerëz mendojnë gabimisht se gjërat e bukura i bën vetëm dora e privatit, pra godina me ashensorë, ndriçim LED dhe energji diellore për ngrohje – por, në fakt këto janë ndërtesa publike, janë dy godinat e reja ultra moderne me nga 200 studentë secila, për Fakultetin e Mjekësisë. Kemi zgjedhur t’i bëjmë po këtu, duke qenë se fakulteti është afër, po ashtu edhe Qendra Spitalore Universitare, ku mund të kryejnë praktikat”, u shpreh Veliaj.

 

Veliaj deklaroi se gjysma e faturës së akomodimit të studentëve në rezidenca do të subvencionohet nga Bashkia e Tiranës, sikurse edhe aboneja studentore do të jepet falas me Kartën e Studentit.

 

“Këshillit Bashkiak do t’i propozoj që ne të paguajmë gjysmën e faturës së studentëve, sidomos për ata që vijnë nga rrethet, që i kanë edhe kushtet më modeste. Së dyti, duam të marrim edhe një vendim për të lehtësuar transportin për studentët. Duam që të paktën studentët të mos e ndiejnë problematikën që lidhet me transportin dhe duke qenë se studentët kryesisht përdorin autobusin, jo të gjithë kanë mundësi për taksi apo për makinë private, ndaj duam ta bëjmë falas abonenë e studentit, duke treguar Kartën e Studentit” 

 

Rezidencat e reja studentore të Fakultetit të Mjekësisë  jane te paisura me dhomat qëndrimit si dhe ambientet e studimit.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re