Nga Serena Console, Europa Today

Dyzet e katër ditë. Kaq do të zgjasin zgjedhjet në Indi, shteti më i populluar në botë, ku jetojnë mbi 1.4 miliardë qytetarë, më shumë se sa në Kinë. Nga sot e deri më 1 qershor, 968 milionë votues (më shumë se 10 për qind e popullsisë së botës) janë regjistruar për të votuar në qendrat e votimit në shtatë faza të ndryshme për 543 anëtarët e Lok Sabha, dhoma e ulët e parlamentit indian.

Pak a shumë si në Itali, deputetët indianë burra dhe gra të Lok Sabha – që së bashku me dhomën e lartë, Rajya Sabha, përbëjnë organin legjislativ në vend – do të formojnë një shumicë qeveritare, e cila më pas do të emërojnë një kryeministër të ri. Rezultatet do të shpallen më 4 qershor.

Në pothuajse dy muaj, Komisioni Zgjedhor duhet të ngrejë më shumë se një milion qendra votimi në një hapësirë 3.3 milion kilometra katrorë, me mbi 15 milion njerëz të angazhuar në këtë mega-proces, përfshirë vëzhgues dhe roje sigurie, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për të votuar.

Makineritë e votimit (5.5 milionë në total) në zonat më të largëta dhe të paarritshme të Indisë  transportohen me kuajt dhe elefantë, ndërsa në disa qendra votimi mund të shkohet vetëm me varkë. Po ashtu, India krenohet me qendrën e votimit në lartësinë më të madhe në botë: 4650 metra mbi nivelin e detit rrëzë maleve Himalaja.

Në 75 vite pavarësi, zgjedhjet në Indi kanë qenë përgjithësisht të lira dhe të ndershme. Por reduktimi i lirisë së shprehjes dhe i medias, si dhe politizimi i institucioneve shtetërore (Gjykata e Lartë, Komisioni Zgjedhor, Policia Federale dhe Drejtoria e Zbatimit të Ligjit, forca policore e përdorur nga qeveria për të sulmuar kundërshtarët) nën qeverinë e Narendra Modit parathonë gjëra alarmante për rezultatin e votimit.

Sipas asaj që raporton Human Rights Watch, autoritetet e kanë forcuar kontrollin mbi platformat dixhitale dhe kanë grumbulluar sasi të mëdha të të dhënave personale të qytetarëve. “Rreziku i përdorimit jo të duhur të teknologjisë në zgjedhjet në Indi është i rëndësishëm, dhe mund të jetë një avantazh domethënës në favor të partisë në pushtet”, shprehet Deborah Brown, drejtoreshë në detyrë për teknologjinë dhe të drejtat e njeriut në Human Rights Watch.

Në këto zgjedhje janë regjistruar më shumë se 2.600 parti politike, por favoritja e madhe dhe pa ndonjë surprizë është partia Bharatiya Janata (BJP) e kryeministrit aktual Modi, i cili e ka udhëhequr Indinë që nga viti 2014, dhe mund ta bëjë këtë për 5 vitet e ardhshme.

Përballë ka një opozitë të dobët. Mbi 20 parti indiane formuan një koalicion të përbashkët korrikun e vitit të kaluar, për të sfiduar partinë e Modit me Aleancën Përfshirëse Kombëtare për Zhvillimin e Indisë. Por suksesi i kësaj të fundit, mund të lidhet me aftësinë për t’u paraqitur me një front të përbashkët, duke rënë dakord mbi shpërndarjen e vendeve në një mënyrë të tillë që të mos përfitojë kundërshtari.

Por kryeministri Modi mund të përfitojë dhe nga përplasjet që po e tronditin koalicionin heterogjen të opozitës. Kaosi e ka burimin tek vizionet e ndryshme që gjallojnë në të vetmen alternativë reale ndaj BJP, Partisë së Kongresit të udhëhequr nga Rahul Gandhi, e cila pavarësisht se mori më pak se 20 për qind të votave dhe vetëm 52 vende në parlament në vitin 2019, kërkon tani më shumë vende.

Për shkak të këtij pretendimi, partnerët rajonalë janë të gatshëm të bëjnë një hap prapa. Por në zgjedhjet parlamentare të 2019-ës, partia e Modit mori 37 për qind të votave popullore, e megjithatë fitoi 303 nga 543 vendet në parlament. Në këto zgjedhje, koalicioni që mbështet BJP synon të fitojë 400 vende, nga të cilat 370 vijnë vetëm nga partia e Modit.

Po ashtu, kjo forcë politike krenohet me një grup të madh dhe të mirë-organizuar aktivistësh dhe vullnetarësh nëpër shtete të ndryshme, dhe zotëron makinerinë e saj të frikshme të propagandës, e cila operon përmes mediave sociale dhe aplikacioneve të mesazheve si WhatsApp, përdorimi i të cilave është kritikuar gjatë zgjedhjeve të mëparshme për përhapjen të informacioneve të gabuara dhe lajmeve të rreme.

Këto akuza nuk e kanë dëmtuar imazhin e Modit, i cili ka përdorur strategjikisht median për të ndihmuar në ndërtimin e një narrative të favorshme për të. Prandaj, nuk është për t’u habitur që rreth tij është zhvilluar një kult personaliteti. Modi konsiderohet tashmë jo vetëm një lider i fortë, por edhe një njeri i popullit.

Ndaj është e pritshme fitorja e tretë radhazi e kryeministrit aktual. Kur Modi kandidoi për herë të parë për kryeministër 10 vjet më parë, premtoi infrastrukturë, zhvillim dhe luftë kundër korrupsionit, duke zgjedhur si zonën e tij elektorale Varanas në Uttar Pradesh, i konsideruar kryeqyteti shpirtëror i Indisë, ku pelegrinët hindu zhyten në ujërat e shenjta të lumit Gange dhe marrin pjesë në ritet funerale.

Simbolika e tij fetare është sfondi i përsosur për ambiciet nacionaliste hindu të Partisë së tij Bharatiya Janata. Modi arriti të fitonte besimin e qytetarëve të tij falë transformimit të Indisë, pasi u bë realitet ideja e një superfuqie, përparimi teknologjik dhe zhvillimi ekonomik.

Por ajo që po e shtyn përpara “Indinë e Re” të Modit është ideologjia ultra hindu, e cila po denigron muslimanët e pranishëm në vend (rreth 230 milionë), dhe që e ka distancuar Indinë nga laicizmi i parashikuar në kushtetutë, si garantues i barazisë për të gjitha fetë.

Persekutimi fetar dhe islamofobia janë rritur ndjeshëm nën udhëheqjen e Modit, dhe shumë njerëz po e akuzojnë kryeministrin për miratimin e sektarizmit për të forcuar më tej kredencialet e tij nacionaliste, dhe për të larguar vëmendjen nga “dështimet e politikave të tij”.

Edhe pse ekonomia indiane ka përjetuar rritje të vazhdueshme gjatë gjithë mandatit të Modit (me përjashtim të periudhës 2019-2020 për shkak të pandemisë Covid-19), mbetet e dyshimtë përhapja e pasurisë në nivel kolektiv. Rritja ekonomike nuk është homogjene, dhe penalizon veçanërisht popullsinë që jeton në veri të vendit.

Por jugu me pesë shtetet e tij (Andhra Pradesh, Karnataka, Kerala, Tamil Nadu dhe Telangana), përbën pothuajse 1/3 e PBB-së së Indisë, kryesisht për shkak të industrisë së pasur teknologjike e cila konsiderohet motori i rritjes ekonomike të vendit. Pra pjesa më e pasur e popullsisë është bërë më e pasur. Një për qind e indianëve që zotërojnë 40 për qind të pasurisë së vendit, ndërsa më pak të pasurit mezi i përballojnë çmimeve të larta të shkaktuara nga inflacioni. Rritja e PBB-së, afër 7 për qind, po përpiqet të krijojë vende pune për të rinjtë. Shkalla e papunësisë së të rinjve ishte 45.4 për qind vitin e kaluar, sidomos në zonat rurale.

Dhe mungesa e fuqisë punëtore të të rinjve rrezikon të vërë në pikëpyetje qëllimin e Modit që India të bëhet një ekonomi e zhvilluar deri në vitin 2047, duke ia kaluar Kinës sa i përket të ardhurave për frymë (sipas Bankës Botërore në vitin 2022, ishin rreth 12.720 dollarë për Kinën dhe 2.410 dollarë për Indinë).

Duke qenë vendi më i populluar në botë, dhe me një nga ekonomitë me rritje më të shpejtë, rezultati i zgjedhjeve maratonë do të ketë ndikim edhe në nivel ndërkombëtar. India është bërë një partnere gjithnjë e më e rëndësishme për vende si Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Franca, të cilat kohët e fundit kanë nënshkruar marrëveshje dhe i kanë forcuar marrëdhëniet me Nju Delhin për të frenuar ngritjen dhe ndikimin politik të Kinës në Indi.

Rivaliteti midis dy gjigantëve aziatikë, është edhe në fushën ekonomike. India dëshiron që ta zëvendësojë Kinën si qendër prodhuese dhe të teknologjisë në botë, duke ofruar një alternativë për kompanitë që dëshirojnë të reduktojnë rrezikun që vjen nga lufta e fundit tregtare dhe teknologjike midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

Shumë kompani, si për shembull Apple, po e zhvendosin prodhimin e tyre në nënkontinentin Indian, ku krahu i punës është më e lirë se ai në Kinë. Si asnjëherë më parë, për shkak të aleancave të lëvizshme dhe luftërave të vazhdueshme, zgjedhjet e vendit më të populluar në botë janë një ngjarje që duhet vëzhguar me kujdes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re