Skip to content

Gati për atentatin e radhës, zbulohen dy mina me telekomandë në Durrës, sa do i shiste ”pronari” i tyre

Një 29-vjeçar është arrestuar nga ana e Policisë së Durrësit, pasi i janë gjetur dy mina me telekomandë, të cilat dyshohet se do ti shiste kundrejt një vlere prej 2 mijë euro secilën. Sipas Policisë i riu kishte dhe precedent të mëparshëm, pasi kishte kundërshtuar forcat e rendit.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Telekomanda”.  Sekuestrohen 2 mina me telekomandë. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre, i cili do t’i shiste kundrejt fitimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë dhe rritjen e parametrave të sigurisë në qytet, në bazë të informacione që dispononin se një shtetas lëvizte me lëndë eksplozivi me vete, organizuan punën dhe finalizuan operacionin e koduar “Telekomanda”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: V. N., 29 vjeç, banues në Sukth, Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Shërbimet e Policisë e kanë ndaluar shtetasin V. N. në afërsi të vendit të quajtur “Muzeumi” dhe gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë, të cilat ky shtetas do t’i shiste me çmimin 2000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb