Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Mirditës pasi akuzohen për kultivim të lëndëve narkotike. Në kuadër të fazës së 18 të operacionit të koduar “Imazhi”  është bërë i mundur sekuestrimi i 1664 fidanë narkotikë cannabis sativa, që u gjetën në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë.

Gjithashtu, në Lezhë, nga veprimet e thelluara hetimore të kryera nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë, identifikohet, kapet dhe ndalohet autori i dyshuar i kultivimit të 233 bimëve narkotike cannabis sativa, të gjetura në malin e Shëngjinit dhe të asgjësuara më 31 maj 2023, gjatë fazës së 8-të të megaoperacionit “Imazhi”.

Në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, Policia e Lezhës ka vijuar paralelisht kontrollet në çdo skaj të qarkut, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe veprimet e thelluara hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale

Në kuadër të fazës së 18-të të këtij megaoperacioni, gjatë kontrolleve në zonën e quajtur “Bjeshkët e Xhuxhës”, njësia administrative Fan, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Mirditë, gjetën në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, 1664 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies. Falë veprime të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i një 55 vjeçari, banues në Kurbin dhe i një 32 vjeçari, banues në Krujë, të dyshuar si autorë të  kultivimit të fidanëve në kubikë.

Ndërkohë strukturat hetimore vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar të kultivimit të fidanëve dhe bimëve të asgjësuara nga policia gjatë fazave të zhvilluara më parë të këtij megaoperacioni policor.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga struktura hetimore e Komisariatit të Policisë Lezhë, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i një 39 vjeçari, banues në Lezhë, pasi dyshohet se është autor i kultivimit të 233 bimëve narkotike që u gjetën në malin e Shëngjinit dhe u asgjësuan në kuadër të fazës së 8-të të  megaoperacionit, fazë e cila është zhvilluar më datë 31 maj 2023.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re