Skip to content

“Gati sa nuk nxori brrylin”, gazetari rrëfen veprimin e ambasadorit gjatë zgjedhjes së kreut të SPAK

Gazetari Eni Ferhati, i cili ishte i pranishëm këtë të enjte në KLP për të ndjekur nga afër procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, tregoi një moment interesant gjatë numërimit të votave, kur Klodian Braho doli fitues, ku shpjegoi reagimin e një ambasadori.

LEXO EDHE: Lufta e fshehtë diplomatike SHBA-BE për kreun e ri të SPAK/ Washingtoni ‘mposhti’ Brukselin. Po tani?

Ajo që më ra në sy ishte momenti kulminant i votimit. Isha aty kur u votua dhe, për rastësi, votat e para u ndanë mes dy kandidatëve dhe ishin: Braho–Xholi, 3 me 3 dhe dukej sikur po shkonim drejt një balotazhi, por menjëherë pas numërimit të votës së gjashtë, votat e tjera ishin për zotin Braho: 4 me 3, 5 me 3, 6 me 3 – gjithmonë për Brahon. Në këtë moment, kur u votua, është aritmetikë e thjeshtë: një nga ambasadorët aty, gati sa nuk nxori brrylin, duke i dhënë shenjë një ambasadori tjetër se punë e kryer, misioni u krye. Nuk e kam lexuar, isha dëshmitar okular aty dhe e pashë vetë këtë episod jashtë syrit të kamerave,” tha gazetari Ferhati në emisionin “Now me Erla Mëhillin”.

Gjatë mbledhjes së KLP-së ku zgjodh kreu i ri i SPAK, ishin të pranishëm ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Vanhorn; ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nick Abbott, ai i Holandës, Reinout Vos dhe përfaqësues të tjerë diplomatik.