Shkolla 9-vjeçare “Xhezmi Delli” në kryeqytet është një tjetër godinë që i shtohet paketës së institucioneve të reja arsimore, të cilat hapin dyert këtë vit për nxënësit e Njësisë 3.

 

ERION VELIAJ

 

KRYETARI I BASHKISE TIRANE

 

 “Është vërtet mëkat të mundohesh t’i gjesh një mënyrë alternative sistemit online për ta regjistruar fëmijën në një shkollë tjetër, kur shkolla “Xhezmi Delli” është më afër. Ne vërtet mund të jemi gati në fillim të shtatorit ose në fillim të tetorit, por për dy javë nuk ia vlen ta çosh fëmijën në një shkollë tjetër, ndërkohë që shkolla e re po mbaron dhe është në kushte shumë herë më të mira se shkollat bujtëse. Mos i torturoni fëmijët në shkolla të tjera! Kush ka ende dyshim duhet të vijë ta shohë vetë që jemi drejt përfundimit. Ju lutem respektoni sistemin online dhe fëmijët të shkojnë te shkolla që iu takon”

 

Veliaj shtoi se këtë vit Tiranës do t’i shtohen të tjera shkolla.

 

 

“Ne do të kemi një buqetë tjetër shkollash këtë vit. “Xhezmi Delli”, patjetër është një bizhu shumë elegante në këtë komunitet, shkolla “Partizani”, një nga gjimnazet historike të Tiranës hapet këtë vit. Aty patëm vetëm ceremoninë e diplomimit, por hapja e shkollës në shtator do të akomodojë gjithë zonën e Selvisë dhe zonës së Njësisë 8. Do të thotë që edhe ngarkesa që vinte te Çajupi apo te Shkolla e Kuqe, apo te shkollat e tjera prej ‘Samiut’, ose ‘Partizanit’, do të fillojë të ulet. ‘Çajupi’ do të ketë ambientin e vet, siç e ka, një shkollë të re, por dhe ‘Partizani’ kthehet sot ndoshta shkolla më e bukur në Tiranë”

 

E dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, edhe kjo shkollë është rindërtuar nga e para. Këtë vit mësimor ajo do të presë nxënësit me dyfishin e kapacitetit të së pares dhe me kushte më të mira.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re