Në messenger-in e faqes zyrtare të Presidentit Ilir Meta në facebook, mes qindra e mijëra mesazheve, është edhe ai i Nebi Muçaj.

Pjesë e trupës së emergjencës civile, ai ka kërkuar nga Kreu i Shtetit që të vlerësojë një mjek hero. Ai ka treguar historinë e doktorit Grej Malo, i cili është futur nën rrënoja (8 metër thellësi) për të shpëtuar jetën e një qytetari që ishte në rrezik nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Pasi u informua për këtë rast, Presidenti Meta shprehu vlerësimet maksimale për gatishmërinë e bluzave të bardha, që vijon edhe sot. Kreu i Shtetit, bën të ditur se do të vlerësojë në kohën e duhur të gjithë mjekët që rrezikuan jetën e tyre për të prekurit e tërmetit tragjik.

“Për mua, do të mbetet e pashlyer në kujtesë gatishmëria e jashtëzakonshme e gjithë personelit të Spitalit të Traumës në Tiranë, vetëm pak kohë pas tërmetit në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, apo mjeku që hynte në rrënojat e ish-Hotel Palmës, duke rrezikuar jetën e tij për t’i shërbyer të riut 24-vjeçar e mbajtur atë me kurajo”,- shkruan kreu i shtetit.

Përgjigja e plotë e Presidentit Ilir Meta:

Ndaj të njëjtin vlerësim me ju se gjatë përballimit të kësaj tragjedie, bluzat e bardha kanë shkëlqyer me gatishmërinë e tyre nga momenti i parë e deri në këto momente, duke shërbyer me përkushtim dhe humanizëm të pashoq.

Për mua, do të mbetet e pashlyer në kujtesë gatishmëria e jashtëzakonshme e gjithë personelit të Spitalit të Traumës në Tiranë, vetëm pak kohë pas tërmetit në orët e para të mëngjesit të 26 nëntorit, apo mjeku që hynte në rrënojat e ish-Hotel Palmës, duke rrezikuar jetën e tij për t’i shërbyer të riut 24-vjeçar e mbajtur atë me kurajo.

Të gjithë këta shembuj do të evidentohen dhe vlerësohen në kohën e duhur, pasi janë të shumtë besoj. Të fala të gjithë miqve në Itali!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re