Palestinezët kanë shënuar ditën e 600-të të gjenocidit të Izraelit në Gaza. Gjatë kësaj periudhe, ushtria izraelite ka kryer krime të pashembullta kundër popullatës së rrethuar në Rripin e Gazës.

E thënë në shifra Izraeli ka vrarë 65,000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, përfshirë rreth 11,000 palestinezë, që mendohet se janë të varrosur nën rrënojat e shtëpive të tyre të shkatërruara. Forcat izraelite kanë vrarë një numër rekord të foshnjave, mjekëve, gazetarëve dhe atletëve. Por krimet izraelite nuk u ndalën vetëm me vrasjet e palestinezëve.

Në skenat që të kujtojnë Gjermaninë naziste, trupat izraelite dëmtuan lagjet, varret masive, i përdhosën varrezat, dyqanet e bombarduara dhe bizneset, shkatërruan spitalet dhe morget, shkelën me tanke dhe buldozerë mbi kufomat, i torturuan palestinezët e burgosur, të paraburgosurit iu nënshtruan talljeve para ekzekutimeve, dhe gjithashtu urdhëruan sulme seksuale kundër palestinezëve.

Gjatë rrjedhës së kësaj lufte gjenocidale, Tel Avivi e ka kthyer pjesën më të madhe të Gazës në gërmadha dhe praktikisht ka zhvendosur të gjithë popullsinë e saj. Izraeli tani planifikon të spastrojë etnikisht palestinezët e Gazës, pa të drejtë kthimi.

Mirëpo e gjitha kjo nuk ka kaluar në heshtje nga opinioni publik evropian. Përgjatë 600 ditëve të gjenocidit në Gaza, janë zhvilluar mbi 34 mijë protesta në Evropë pro Gazës dhe kundër gjenocidit. Protestat kanë qenë masive në 20 shtete evropiane dhe në 644 qytete vetëm në Evropë.

Më shumë se 300 njerëz të famshëm, përfshirë këtu aktorin britanik Benedict Cumberbatch dhe këngëtaren Dua Lipa, kanë nënshkruar një letër të hapur së fundmi, duke i bërë thirrje kryeministrit britanik Keir Starmer të përfundojë “bashkëpunimin” e Mbretërisë së Bashkuar me “tmerret” e Luftës së Gazës.

Letra e hapur, e shkruar nga Chose Love – një organizatë jofitimprurëse që mbështet “refugjatë dhe njerëz të zhvendosur globalisht” – i bën thirrje qeverisë britanike, që të pezullojë menjëherë të gjitha shitjet dhe licencat e armëve të Mbretërisë së Bashkuar për Izraelin, të sigurojë qasje humanitare në të gjithë Gazën për organizatat e ndihmave pa ndërhyrjen e ushtarakëve; të ndërmjetësojë një armëpushim të menjëhershëm dhe t’i thotë “stop urisë”.

Një nga 300 figurat që e kanë firmosur këtë letër është edhe ish-futbollisti Gery Lineker, i cili u largua nga posti i komentatorit të BBC-së për shkak të të ashtuquajturave “komente anti-semitike”.

Po ashtu reagime ka patur edhe me protesta të mëdha në Hollandë, Francë e Gjermani, ku protestuesit po kërkojnë ndalimin e luftës dhe të gjenocidit në Gaza.

Përgatiti: Roald A. Hysa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko