Një mjek palestinez, fëmijët e të cilit u vranë në një sulm ajror izraelit në Gaza më 23 maj, ka vdekur nga plagët e marra në të njëjtin sulm, thonë zyrtarët e shëndetësisë.

Dr. Hamdi al-Najjar, 40 vjeç, sapo ishte kthyer nga vendi, ku kishte çuar gruan e tij, Dr. Alaa al-Najjar, në Spitalin Nasser, ku punonin të dy, kur shtëpia e tyre në Khan Younis u godit. Nëntë nga fëmijët e tyre u vranë, ndërsa i 10-ti u plagos rëndë.

Hamdi u trajtua në spital për lëndime në tru dhe të brendshme, por vdiq të shtunën. Doktoreshë Alaa dhe djali i tyre 11-vjeçar, Adam, i cili mbetet në spital, janë të vetmit mbijetues të kësaj familje.

Çifti Najjar themeloi një kompleks mjekësor privat në Khan Younis, në të cilin Hamdiu ishte drejtuesi. Vëllai i tij, Dr. Ali al-Najjar, e përshkroi atë si një baba të dashur, që kujdesej falas për pacientët e varfër.

Fëmijët e tyre Yahya, Rakan, Ruslan, Jubran, Eve, Rivan, Saydeen, Luqman dhe Sidra u vranë të gjithë në sulm. Më i madhi ishte 12 vjeç dhe më i vogli gjashtë muajsh, sipas mediave lokale.

Hamdiu pësoi lëndime të rënda në tru, mushkëri, krahun e djathtë dhe veshkat gjatë sulmit, tha për BBC javën e kaluar Dr. Milena Angelova-Chee, një mjeke bullgare, që punon në spitalin Nasser.

Graeme Groom, një kirurg britanik, që punonte në spital dhe i cili operoi djalin mbijetues, Adam, i tha BBC, se ishte “jashtëzakonisht mizore”, që nëna e tij Alaa, e cila kaloi vite duke u kujdesur për fëmijët si pediatre, të humbiste pothuajse të gjithë fëmijët e saj në një sulm të vetëm.

Ai tha se “krahu i majtë i Adamit mezi varej, ishte i mbuluar me lëndime në fragmente dhe kishte disa prerje të konsiderueshme”.

“Meqenëse të dy prindërit e tij janë mjekë, ai dukej se ishte midis grupit të privilegjuar brenda Gazës, por ndërsa e ngritëm në tavolinën e operacionit, ai ndihej shumë më i ri se 11 vjeç.” Më pas, qeveria italiane të enjten ofroi trajtimin e Adamit pas një apeli nga xhaxhai i tij, Dr. Ali al-Najjar, i cili i tha gazetës italiane La Repubblica, se spitali Nasser nuk ishte i pajisur mirë për ta trajtuar atë.

Tragjedia e familjes Al Najjar është një nga ato të shumtat, që po përjetojnë palestinezët prej më se 600 ditësh në Rripin e Gazës.

Përgatiti në shqip: Roald A. Hysa

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko