Numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite gjatë “Marshit të kthimit të madh”, në afërsi të kufirit në Gaza, është rritur në 17.

Dy familje në Rripin e Gazës kërkuan një përgjigje nga autoritetet izraelite për fatin e dy të rinjve, me të cilët nuk kishin kontaktuar për dy ditë, me çka dyshuan se kanë pësuar gjatë demonstratave.

Yoav Mordaehai, koordinator për aktivitetet qeveritare në territorin palestinez, shkroi në rrjetet sociale se Muhammed Rabaiyye dhe Musab Sellul, kanë pësuar gjatë operacionit në kufirin e Izraelit me Gazën.

Mordaehai pohon se Sellul dhe Rabaiyye, në momentin kur janë qëlluar për vdekje, kanë qenë të armatosur me pushkë dhe eksploziv, për çka trupat e pajetë të tyre ishin marrë nga autoritetet izraelite. Ai tha se numri i trupave të pajetë të palestinezëve që mbahen nga ata, nga viti 2014 e këndej, është rritur në 26, raporton aa.

Rikujtojmë se forcat izraelite hapën zjarr të premten kundër demonstruesve të cilët ishin mbledhur me rastin e “Ditës së Tokës”, që është një simbol i rezistencës ndaj pushtimit izraelit.

Me tubimet e së premtes kanë filluar protestat 6-javore të cilat do të kulmojnë më 15 maj kur palestinezët shënojnë “Nakba” (katastrofën), ditën kur u themelua Izraeli.

Më herët gjatë ditës së sotme, ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, deklaroi se vendi i tij, nuk do të bashkëpunojë për ndonjë hetim të mundshëm ndërkombëtar, lidhur me vrasjen e palestinezëve në afërsi të kufirit me Rripin e Gazës.

“Nuk do të ketë një hetim ndërkombëtar. Nuk do të bashkëpunojmë me asnjë hetim të këtij lloji”, thuhet në kumtesën e tij. /KosovaPost/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re