Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i bëri thirrje të enjten Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik që të ngrejë zërin e saj fuqishëm kundër sulmeve të Izraelit në Gaza.

“Nëse ne, si Organizatë për Bashkëpunim Ekonomik, nuk e ngremë zërin së bashku si muslimanë sot, kur do ta ngremë zërin? Konfliktet në territoret e pushtuara palestineze na kanë thyer zemrat,” tha Erdogan në fjalimin e tij në samitin e 16-të të kësaj organizate ekonomike në Tashkent, kryeqyteti i Uzbekistanit.

Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik ose ECO është një organizatë ndërqeveritare politike dhe ekonomike e themeluar në Teheran në vitin 1985 nga udhëheqësit e Iranit, Pakistanit dhe Turqisë.

“Izraeli vazhdon të bombardojë shkollat, xhamitë, kishat, spitalet dhe universitetet, duke shkelur të gjitha vlerat e mundshme të njerëzimit”, tha Erdogan.

Ai vuri në dukje se shumica dërrmuese e viktimave të sulmeve izraelite në Gaza janë fëmijë dhe gra.

“Rreth 73 për qind e afro 11,000 banorëve të Gaza-s të vrarë brutalisht nga Izraeli ishin gra dhe fëmijë”, tha presidenti turk.

Ai kritikoi veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin për heshtje ndaj sulmeve të ndyra izraelite në Gaza.

“Deri tani, 11,000 njerëz, fëmijë dhe gra, janë vrarë në Gaza, dhe bota është e heshtur. SHBA dhe Perëndimi janë kryesisht të heshtura,” shtoi ai.

Erdogan theksoi se vendet perëndimore, të cilat vazhdimisht flasin për të drejtat e njeriut, liritë dhe demokracinë, po i shikojnë në heshtje dhe nga distanca masakrat izraelite në Gaza.

“Këto vende dhe organizatat e tyre janë aq patetike saqë as nuk duan të bëjnë thirrje për armëpushim, e lëre më të kritikojnë vrasësit e fëmijëve. Ata që mbyllin sytë para njerëzve që djegin librin tonë të shenjtë Kuranin, me preteksin e lirisë së mendimit, nuk mund ta tolerojnë këtë herë as flamurin palestinez. Ajo që ne kemi dëshmuar që nga 7 tetori është dëshmi e rritjes së hipokrizisë”, tha lideri turk.

Ai tha se muslimanët në botë duhet të jenë më të bashkuar.

“Këto ngjarje na tregojnë edhe një herë se ne duhet të forcojmë unitetin tonë si myslimanë. Ne do të vazhdojmë nismat tona diplomatike për të siguruar urgjentisht një armëpushim humanitar dhe për të parandaluar përhapjen e konfliktit,” tha Erdogan.

Ai kujtoi se Izraeli vazhdon të bombardojë vendbanimet civile.

“Ne jemi përballur me fanatizëm që justifikon vrasjen edhe të fëmijëve”, tha Erdogan.

Në fund, ai theksoi se Turqia po përpiqet të dërgojë sa më shumë ndihma për banorët e Gazës.

Siç tha ai, Turqia deri më tani ka dërguar dhjetë aeroplanë, ose 230 tonë ndihma humanitare, në aeroportin egjiptian El Arish.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re