Disa palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në bombardim izraelit që shënjestroi autoambulancat përpara portës kryesore të spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës.

“Kishte shumë viktima dhe të plagosur në një sulm izraelit që shënjestroi një autokolonë ambulancash që po shkonte në jug për të arritur në vendkalimin tokësor Rafah”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Ashraf al-Qudra në një konferencë për media në Spitalin Al-Shifa.

“Një bombardim izraelit shënjestroi gjithashtu ambulanca në dy lokacione të tjera në rrugën Bregdetare Al-Rashid, që po transportonin njerëz të plagosur në jug për të arritur në vendkalimin tokësor Rafah për t’i transportuar ata në Egjipt”, shtoi zëdhënësi.

Gjithashtu, ekipi i Anadolu-t njoftoi se disa palestinezë u vranë dhe u plagosën si rezultat i bombardimeve izraelite që synonin portën kryesore të spitalit Al-Shifa në qytetin e Gazës.

Ekipet mjekësore po largoheshin me një kolonë të ndihmës së parë që transportonte të lënduar në rajonet jugore të Rripit të Gazës për trajtim në Egjipt.

Bombardimi izraelit shkaktoi dëme të mëdha në autoambulancat që transportonin të plagosurit.

Gjithashtu, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, në shënjestër të sulmeve ajrore izraelite kanë qenë edhe lokacione në afërsi të dy spitaleve tjera, Spitali Al-Quds dhe Spitali Indonezian.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më herët gjatë ditës lëvizjen e një kolone autoambulancash që mbante një numër të madh të plagosurish që duhej të niseshin drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës.

Ushtria izraelite ka shtuar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga ofensiva e befasishme e Hamasit më 7 tetor.

Më shumë se 10.700 njerëz janë vrarë në konflikt, duke përfshirë të paktën 9.227 palestinezë dhe më shumë se 1.538 izraelitë.

Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjeve masive të njerëzve, furnizimet bazë po mbarojnë për 2.3 milionë banorët në Gaza për shkak të rrethimit izraelit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re