Hamasi njoftoi se dy zyrtarë të tij u vranë në sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës.
Në deklaratën e Hamasit thuhet se shtëpitë e zyrtarëve ligjorë të Hamasit, Teysir Ibrahim dhe Waiz Wail ez-Zerid në Gaza u bombarduan nga avionët luftarakë izraelitë.
Në sulm u vranë edhe anëtarë të familjes së dy zyrtarëve ndërsa Hamasi deklaroi se lufta e tyre do të vazhdojë deri në çlirimin e Palestinës.
Sipas informacioneve të fundit, të paktën 2.848 palestinezë, përfshirë 750 fëmijë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.
Gaza po përjeton një krizë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë. Civilët po ikin drejt jugut të Gazës pas paralajmërimit të Izraelit për të evakuuar zonat veriore.
Luftimet filluan kur Hamasi nisi sulme të shumta të befasishme më 7 tetor që përfshinin sulme me breshëri raketash dhe inkursione në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi tha se sulmi ishte hakmarrje për bastisjet e mëparshme në xhaminë Al-Aksa dhe rritjen e dhunës nga kolonët izraelitë.
Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite nisi operacion kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.
Më shumë se 1.400 izraelitë u vranë në konflikt.
Burimi: AA