Duket se analiza e opozitës për humbjen është zhvendosur në gazetën e Nikollë Lesit, duke qenë se ata ende mendojnë se kanë fituar garën elektorale.

Në një shkrim editorial, thuhet se opozita nuk ka forcë për t’u përballur me kundërshtarin politik.

Ndërkohë, apelohet për t’u treguar të sinqertë përballë elektoratit i cili duhet të mësohet me disfatën zgjedhore. 

Shkrimi i plotë:

Opozita e sotme ndodhet në udhëkryq. Bërtasin se ua vodhi zgjedhjet Edi Rama, por KAS dhe Kolegji Zgjedhor ua rrëzuan kërkesat PD dhe LSI.

Ndërkohë njerëzit e pakënaqur me këtë qeveri dëshironin humbjen e kryeministrit dhe të PS-së. Edi Rama përdori çdo mjet t’ua merrte zgjedhjet dhe ua mori. E padrejtë se si veproi Rilindja ndaj opozitës, por kur liderët e PD dhe LSI karikonin votuesit mbarë vendit se “kemi marrë masat se nuk do të lejojmë asnjë votë të vidhet” apo se  “do pritej çdo dorë që futet në kuti për të deformuar vullnetin e popullit”, nuk i dolën zot fjalës së tyre.

Ndërkohë opozita ishte në ajër para zgjedhjeve dhe shikonin endërra si në filma se do marrim kaq e aq deputetë, thua se do kishin mbi 90 mandate deputeti. Nga ana tjetër Rilindja si një makineri gllaberuese dhe e rrezikshme thithte çdo votë me format e saja të bëra publike që në Dibër dhe Durrës.

PD dhe LSI nuk bënë gjënë më të rëndësishme përballë lukunisë së Rilindjes, para zgjedhjeve; Krijimin e një koalicioni, pra një listë. Nuk kishte rëndësi sa deputetë të sigurtë merrte LSI apo PD, PR apo PAA, etj. Rëndësi kishte përbashkimi, krijimi i një besimi popullor se këta do jenë ndryshe dhe janë të bashkuar. Opozita nuk arriti të krijojë frymën e një Referendumi, siç kërkoi Presidenti, pasi vetëm 47 % dolën e në votime. Nëse do bindej populli do dilte mbi 70 % dhe pushteti ishte rrëzuar. Por nuk doli aq sa gënjeu opozita, e cila përbetohej se do bënte namin nëse prekej vota.

Vota u ble në shumë qarqe, por opozita e sotme nuk ka këllqe të përballet me regjimin; ajo zihet mes vetes se kush e kishte fajin, Basha apo Kryemadhi dhe nga ana tjetër PS-ja do jetë në pushtet deri në vitin 2025. Më kot e gënjejnë popullin se do ta detyrojnë Ramën për zgjedhje të parakohshme.

Përballë një regjimi, siç deklarojnë liderët e opozitës, shtrohet pyetja publike: A mos ka ardhur koha për krijimin e një opozite të re, larg kësaj tradicionale? A na bind kjo opozitë se do të fitojë përballë Edi Ramës? A mund të besohet më, kur na karikuan para 25 prillit se do bëjnë namin dhe asnjë votë nuk tjetërsohet?

Për dreq, kjo opozitë është pa shtyllë kurrizore. Dhe kështu i intereson Rilindjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re