Në ditën e fundit të Parlamentit, gazetarët e televizioneve dhe gazetave që rrinë tek Kuvendi, iu janë vërsulur me mikrofon në dorë deputetëve që u futën në Kuvend pas djegies së mandatave nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
Bëhet fjalë për deputetë, që ishin në listat e PD dhe LSI dhe që ishin futur aty sa për mbushje, jo se kanë ndonjë vlerë.
Ndaj dhe është e kotë të merresh me ta, pasi nuk përfaqësojnë asgjë dhe askënd, përveç Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që i kishin futur në listë.
Ata thjesht patën fatin të bëheshin deputetë, pas marrëzisë së Bashës dhe Kryemadhit, të cilët i bënë peshqesh këtij Kuvendi, turpin më të madh.
Por gazetarët, në vend që t’i vërsulen Bashës e Kryemadhit, gjë që nuk e bëjnë dot, janë përpjekur të vënë në lojë dhe të tallen me këta fakirët, që nuk përfaqësojnë asgjë.
Nëse është dikush sot, që duhet t’i kërkohet llogari dhe të pyetet, ata janë Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, që ia dorëzuan me duart e tyre Kuvendin Edi Ramës, i cili ndryshoi kodin elektoral dhe i mundi me lehtësinë më të madhe.
Mos u merrni me Salamitë e Gjuzët, po shkoni e kërkoni Bashën e Kryemadhin atje ku janë duke pushuar, dhe pyetini se çfarë mendimi kanë për bilancin e këtij Kuvendi, që ia bënë dhuratë Edi Ramës.
Se është kollaj të tallesh me një pensionist si Jenishehri.
Edhe pse janë po këta gazetarë, që kur bëhet fjalë për ndonjë pensionist tjetër, si fjala vjen Sali Berisha, rrinë gëk para tij dhe thjesht e dëgjojnë si flet.
Për të mos folur pastaj për ndonjë Ramë a ministër të tij, të cilëve iu rrinë gatitu.
(TemA)
