Fluks vizitorësh në këtë fillim sezoni turistik, në ambientet e muzeut Ikonografik Onufri dhe Etnografik, Berat. Këto ambiente kanë mirëpritur në një vizitë disa orëshe një grup gazetarësh francezë, parisienë e lionezë.
Ata përzgjodhën të vizitonin veçanërisht Muzeun Etnografik për t’u njohur me vlerat e trashëgimisë kulturore, me ato të banesës tradicionale, të kostumografisë e me mënyrën e jetesës së një familje tradicionale .
Grupi i gazetarëve shfaqi një interesim të veçantë rreth religjioneve dhe harmoninë fetare ne Berat.
Muzetë e qytetit gjatë 3 mujorit të parë të 2019 kanë mirëpritur rreth 4 mijë vizitorë vendas dhe të huaj duke e bërë këtë vend si një ndër më të preferuarit e qytetit të Beratit.
Muzeu Etnografik është krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase. Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte.
Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit e cila është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas bizantine në qytetin e Beratit.Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë.
