Kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, ka zhvilluar një intervistë me gazetarin Bejdo Malo në Fax News.
Kjo intervistë nuk do të harrohet kurrë në historinë e medias shqiptare, sepse Bejdo Malo, ka treguar një sinqeritet të pashembullt, që nuk e gjen tek asnjë gazetar tjetër në Shqipëri dhe në mbarë botën.
Bejdo e pyeti Veliajn për lejet e ndërtimit dhe pallatet që ngrihen papritur dhe i zënë frymën qytetarëve.
Kur Veliaj kërkoi të dinte shembuj konkretë, Bejdo tha se nuk i tregon dot emrat, sepse ndërtuesit i financojnë emisionin.
Ja biseda që u realizuar mes gazetarit dhe Erion Veliajt:
Bejdo Malo: Po ta shikosh, ka një perceptim ose legjendë urbane, që në fillim i bëni lulishte, pastaj jepni leje ndërtimi dhe pastaj neve si qytetarë, na vjen pallati tjetër tek dritarja.
Erion Veliaj: Më jepni një rast konkret.
Bejdo Malo: Të jap një rast? Raske ka.. Unë… Mua më fut në konflikt interesi, sepse kam shumë interesa. Emisionin e ndërtoj mbi këta biznesmenë, mbi këta ndërtues. Do të më marrësh më qafë? Më merr. Unë të jap raste, por nuk është detyra ime t’i përmend, sepse nuk dua të bëj as gjueti shtrigash. Unë të thash që ka një perceptim, tani t’i ma hidh poshtë si argument.
Erion Veliaj: Miku im, ky është një problem thelbësor që kemi në vend, përpara se të dalë e vërteta, gënjeshtra e ka bërë xhiron rreth Unazës edhe e ka mbushur me histeri opinionin publik.
Bejdo Malo: Ti nga koha jote e çmuar, do lësh një orë kohë, për t’i dhënë përgjigje edhe këtyre legjendave urbane.
Erion Veliaj: Unë 24 orë punë me këtë merrem.
/TPZ.al/