Pasi gruaja dhe fëmijët e tij u vranë në një sulm ajror izraelit, korrespondenti i Al Jazeera-s në Gaza, Wael al-Dahdouh, u zotua të vazhdojë të raportojë mbi fushatën intensive të bombardimeve të Tel Avivit kundër enklavës së rrethuar.

“Kjo nuk do t’i heshtë kurrë zërat tanë. Gazetaria është misioni ynë fisnik”, tha al-Dahdouh për Anadolu. Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi gruaja, djali, vajza, nipi dhe tetë të afërm të tjerë ranë viktimë e sulmit në një shtëpi në kampin e refugjatëve Al-Nuseirat në pjesën qendrore të Gazës, ku ata u strehuan pasi u zhvendosën.

“Izraeli po shënjestron civilët dhe po kryen masakra kundër familjeve”, tha al-Dahdouh, duke shtuar: “Kjo është pjesë e asaj që familjet palestineze në Gaza po kalojnë çdo ditë”.

Al-Dahdouh e kishte marrë lajmin për vdekjen e familjes së tij teksa mbulonte sulmet e vazhdueshme izraelite në Gaza nga zyra lokale e medias së Katarit.

Televizioni Al Jazeera transmetoi një video të korrespondentit duke mbajtur trupin e vajzës së tij në krahë dhe një tjetër duke mbuluar trupin e djalit të tij të shtrirë në tokë të spitalit.

Pavarësisht humbjes, gazetari ka deklaruar se ai mbetet i vendosur të vazhdojë punën e tij për të mbuluar sulmet e Izraelit në Gaza.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore në Gaza pas një sulmi ndërkufitar të Hamasit në territorin izraelit më 7 tetor.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re