Një gazetar izraelit shkeli ndalimin e hyrjes së jomuslimanëve në vendin më të shenjtë mysliman në Mekë të Arabisë Saudite dhe shkaktoi reagime të ashpra në internet, por ndoshta edhe dëmtoi përmirësimin e marrëdhënieve midis Tel Avivit dhe shteteve të Gjirit.

Lajmet e Channel 13 të Izraelit transmetuan një raport 10-minutësh në të cilin gazetari Gil Tamary kalon pranë Xhamisë së Madhe, e cila strehon Qaben, vendin më të shenjtë të Islamit, dhe më pas ngjitet në Malin e Mëshirës.

Tamary, i cili shoqërohej nga një udhërrëfyes lokal, fytyra e të cilit ishte errësuar në video, kështu që ai nuk mund të identifikohej, foli me qetësi në hebraisht në kamerë dhe herë pas here kalonte në anglisht për të shmangur që dikush ta njihte si izraelit.

Reagime të shumta

Raporti u shënua si ekskluziv, pasi bëhet fjalë për të parin gazetar izraelit që raportoi për pelegrinazhin vjetor të Haxhit musliman nga Meka.

Pamjet ngjallën kritika të ashpra në internet, me hashtagun në Tëitter “Hebreu në Xhaminë e Madhe të Mekës” ndër më në trend.

Në mesin e kritikëve ishte dhe Mohammed Saud, një aktivist saudit pro-izraelit: “Miqtë e mi të dashur në Izrael, gazetari juaj hyri në qytetin e Mekës, në botën e Islamit, dhe pa turp u filmua atje,” tha ai.

“Turp për ty Channel 13 që fyen besimin islam në këtë mënyrë. Ti je i pasjellshem.”

Ministri i Bashkëpunimit Rajonal i Izraelit, Esawi Freij, i cili është musliman, e kritikoi raportin e Tamary-t si “budallallëk dhe dëmtues” për lidhjet Izrael-Gji.

“Ishte e papërgjegjshme dhe e dëmshme të publikohej ky raport vetëm për hir të shifrave të shikueshmërisë”, shtoi ai.

Kërkimfalja e gazetarit

Tamary, i cili ishte në Jeddah duke raportuar të premten gjatë një vizite të presidentit amerikan Joe Biden, kërkoi falje pas kritikave në internet dhe tha se nuk kishte për qëllim të ofendonte muslimanët.

“Nëse dikush është ofenduar nga kjo video, kërkoj ndjesë të thellë. Qëllimi i gjithë kësaj ishte të tregohej rëndësia e Mekës dhe bukuria e fesë, dhe në këtë mënyrë të arrihet më shumë tolerancë dhe gjithëpërfshirje fetare”, shtoi ai.

Ai vuri në dukje se “kurioziteti është në zemër dhe në qendër të gazetarisë” dhe se puna e tij u nxit nga dëshira që njerëzit “të shohin për herë të parë një vend që është kaq i rëndësishëm për vëllezërit dhe motrat tona muslimane, si dhe për historinë njerëzore”.

Meka është vendi më i shenjtë për muslimanët në botë, e ndjekur nga Xhamia e Profetit në Medine dhe Xhamia Al-Aksa në Jerusalem. Vetëm muslimanët lejohen të hyjnë në Mekë dhe shkelja e rregullave mund të çojë në gjoba ose dëbim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re