Gazetari dhe kolumnisti Yossi Melman shkroi se ushtria izraelite dogji të gjallë dhe varrosi 20 ushtarë egjiptianë gjatë luftës së vitit 1967.

Gazetari i gazetës “Yediot Ahronot” shkroi në Twitter se ushtria izraelite dogji të gjallë ushtarët egjiptianë dhe i varrosi në një varr masiv të pashënuar në Latrun, në perëndim të Kudsit.

Ai deklaroi se pas 55 vitesh, autoritetet izraelite hoqën censurën dhe se e vërteta doli në shesh.

Melman pretendimet e tij i mbështet në dëshminë e ish-zyrtarit ushtarak izraelit Zeem Bloch (90), i cili foli për ngjarjet e tmerrshme të luftës gjashtë ditore.

“Shpërthyen përleshjet në të cilat në anën izraelite luftonin ushtarët izraelitë dhe pjesëtarët e Nashon Kibbut. Disa trupa egjiptiane ikën, disa u kapën dhe disa luftuan me trimëri. Ishte një periudhë thatësire dhe në një moment ushtria izraelite me granata dogji shkurret në një zonë të gjerë ku ndodheshin ushtarët egjiptianë”, tha Melman.

Në atë kohë, Bloch ishte komandanti i Nashon Kibbutz, një grup i majtë sionist dhe në bisedën e tij me Melman tha se zjarri u përhap shpejt dhe se ushtarët egjiptianë nuk kishin asnjë shans të dilnin të gjallë nga zjarri.

“Ushtarët izraelitë erdhën të nesërmen me buldozerë dhe hapën një gropë të pashënuar në të cilën varrosën eshtrat e ushtarëve egjiptianë të djegur. Bloch dhe disa anëtarë të Nashon Kibbutz ndoqën me habi këtë akt të ushtrisë izraelite, e cila plaçkiti gjërat personale të ushtarëve egjiptianë”, theksoi Melman.

“Velloja e heshtjes për këtë u konvenonte të gjithëve. Ata pak njerëz që e dinin nuk donin të flisnin për këtë. Na vinte turp. Por, mbi të gjitha, ky ishte vendimi i ushtrisë izraelite në mes të luftës”, tha Bloch gjatë bisedës me Melman.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re