Agim Xhafka ka shkruar një letër imagjinare ku sipas tij po të ishte gjallë, senatori amerikan John McCainn do t’i kërkonte Lulzim Bashës të dorëhiqej.

Ai ka ndërtuar një mesazh për të cilin thotë se po vjen nga varri i tij për ta parë Bashën jashtë politikës sa më parë.

I nderuar zoti Basha,

Unë senatori John McCainn nuk  të njoh se fati nuk na e dha mundësinë të takoheshim, por edhe sepse unë qysh nga viti 2018 nuk gjalloj më mes njerëzve të globit. Kam fluturuar dhe ndjek që këtu lart jetën e njerëzve të çdo race.

Po ja që bëmat e tua janë kaq të rënda, qesharake dhe groteske sa vijnë në ekranet tona nën tokë si shpërthime bombash çmendurie apo dezekulibri mendor.

I dashur Lulëzim, në tiradën tënde mbrojtëse ndaj humbjeve serial përmend Amerikën dhe aleancën me të. Të këshilloj ta rrallosh pak se kjo aleancë nuk është as me ty, as me PD, por me popullin shqiptar. Ka qenë prej shekujsh, kur jo ti po as gjyshërit e prindërit e tu nuk kishin lindur.

Para ca muajsh mësova se ke përjashtuar nga partia Sali Berishën, mikun e madh të Amerikës. Si arsye ke shfaqur non gratan e DASH. Të sjell në vëmendje se DASH ka bërë non grata edhe Mandelën, Arafatin, Charli Chaplinin e plot e plot të tjerë. Mos u sill kaq i përkulur se Amerika i urren servilët.

Së fundi ke filluar një përjashtim masiv të deputetëve shqiptarë nga që ata nuk eckan sipas vijës tënde. Dhe pas çdo përjashtimi ti përmend Amerikën. E ke gabim djalosh, Amerika bën të kundërtën e kësaj që bën ti. Amerika e respekton vendimin e çdo deputeti, qoftë kongresmen a senator. Nuk guxon kush të gjykojë vendimet e tyre. Qoftë larg të përjashtojë dikë nga partia. Veç populli që i ka zgjedhur.

Ja, një rast nga veprimtaria ime. Sa ishte zgjedhur Trump e si president solli në kongres ligjin për shfuqizimin e Obamacare, kujdesin shëndetësor të demokratëve. Ai qe në të drejtën e vet se e kishte premtim fushate. E miratoi në Kongres, por kur erdhi në Senat unë votova kundër Trump dhe kundër republikanëve, pra kundër partisë sime. Se ashtu e gjykova.

Me votën time ai ligj miratohej, me votën time kundër u rrëzua. Kuptohet irritimi i Trump dhe qejfmbetja e kolegëve të mi. Por kaq, jo më shumë. Askush nuk më dha vërejtje, askush nuk guxoi të mendojë për përjashtimin tim nga partia.

Raste të tilla ka plot jeta e ligjvënësve në USA. Disa deputetë të majtë kalojnë djathtas për ligje të veçanta, siç ndodh dhe e anasjellta. Barometër i sjelljes së tyre janë votuesit dhe sondazhet.

I dashur Lulëzim,

Në se do që të jesh aleat i Amerikës sillu si amerikanët. Mbaj përgjegjësi për humbjet e tua që janë shumë, si vargu i hudhrave dhe mos i trysno deputetët. Ata i ka zgjedhur sovrani e veç ai i ndëshkon ose i lavdëron. Bëhu burrë, mos fli gjatë se deri këndej kanë mbërritur historitë e tua me gjumin.

Dhe jep dorëheqjen, nxito.

Ruaj dinjitetin!

Këshilla e fundit prej miku, mësoje atë dreq tabelë shumëzimi se edhe në Amerikë 7×7 nuk bëjnë 42″, shkruan Xhafka. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re