Gazetari rus Dmitry Muratov, i vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2021, ka shitur çmimin e tij për 103,5 milionë dollarë për të ndihmuar fëmijët refugjatë ukrainas.

Shtëpia e ankandeve Heritage Auctions nxori në ankand çmimin Nobel të Muratovit dje në New York.

Çmimi Nobel i Paqes 2021, i cili u vendos në shitje nga gazetari rus Muratov për të mirën e fëmijëve ukrainas, gjeti një blerës për 103,5 milionë dollarë.

Në fjalën e tij pas shitjes, Muratov tha: “Unë prisja një solidaritet të madh, por nuk e prisja një shifër kaq të madhe”.

Siç njoftohet, të ardhurat nga çmimi do të përdoren për përfitimin e fëmijëve refugjatë ukrainas përmes Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF).

Çmimi i shitur nga gazetari Muratov për 103,5 milionë dollarë theu rekordin në këtë fushë, duke tejkaluar çmimin e James Watson-it, i cili u shit për 4,74 milionë dollarë në vitin 2014.

Heritage Auctions nuk ka zbuluar informacionin e blerësit.

Muratov ishte një nga themeluesit e gazetës ruse Novaya Gazeta në vitin 1993.

“Novaya Gazeta është sot gazeta më e pavarur e Rusisë dhe është thelbësisht kritike ndaj qeverisë”, kishte deklaruar komiteti i Nobelit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re