Gazetari suedez PM Nilsson në një kolumnë shkruan se Turqia ka bazë të vlefshme për të kundërshtuar anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Nilsson, redaktor i çështjeve të jashtme në të përditshmen suedeze “Dagens Industri”, tha se ka arsye legjitime që Turqia të qëndrojë kundër kërkesës së Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s.

Ai shprehet se parakushti i Partisë Socialdemokrate për zgjedhjen e Magdalena Andersson si kryeministre ishte “marrëveshja” që bëri me deputeten e pavarur Amineh Kakabaveh për të ndihmuar grupin terrorist YPG/PKK.

Marrëveshja ishte “e çuditshme” dhe “jokushtetuese”, tha ai.

“Marrëveshja ishte për të thelluar bashkëpunimin me YPG/PKK në Siri. Kjo marrëveshje do të thotë që një ligjvënës i vetëm dikton politikën e jashtme të Suedisë përmes YPG-së, e cila përcaktohet nga Turqia si dega siriane e PKK-së”, shprehet Nilsson.

Ai më tej tha se kjo “marrëveshje e paqëndrueshme” tregon se nuk ka “keqkuptim” nga Turqia, në kundërshtim me atë që tha ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde.

Gjatë zgjedhjes së Andersson-it për kryeministre të Suedisë, lideri i demokratëve suedezë të ekstremit të djathtë Jimmie Akesson kishte thënë se Partia Socialdemokrate po negocionte me grupin terrorist PKK për të formuar qeverinë.

“Ne pamë që nëpërmjet Kakabaveh, Partia Socialdemokrate do të krijonte një marrëdhënie të ngushtë me PYD, një degë e grupit terrorist PKK, për të formuar qeverinë”, kishte thënë Akesson.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e mbi 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është dega siriane e PKK.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re