Pas gjashtë muaj ndalimi, Kina ka arrestuar zyrtarisht gazetaren australiane të lindur në Kinë nën “dyshimet se në mënyrë të paligjshme ka dërguar sekrete shtetërore jashtë shtetit”, njoftoi ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne.

Australia është informuar se Cheng Lei u arrestua zyrtarisht në Kinë më 5 shkurt, theksoi Payne në një deklaratë.

“Autoritetet kineze kanë njoftuar se Cheng u arrestua nën dyshimet se në mënyrë të paligjshme ka dërguar sekrete shtetërore jashtë shtetit”, tha Payne.

Cheng, prezantuese për kanalin shtetëror kinez të lajmeve në gjuhën angleze CGTN, u arrestua më 13 gusht të vitit 2020, nën “mbikëqyrjen rezidenciale të Pekinit në një vend të caktuar”, një formë e paraburgimit që lejon autoritetet kineze të mbajnë të ndaluar njerëzit madje deri në gjashtë muaj pa aktakuzë.

“Qeveria Australiane ka ngritur shqetësimet e saj serioze në lidhje me ndalimin e zonjës Cheng rregullisht në nivele të larta, duke përfshirë edhe mirëqenien e saj dhe kushtet e paraburgimit”, tha Payne.

Ajo shtoi se zyrtarët e ambasadës australiane e kanë vizituar Cheng gjashtë herë që nga ndalimi i saj, së fundmi më 27 janar, në përputhje me marrëveshjen dypalëshe konsullore me Kinën.

“Ne presim që të përmbushen standardet themelore të drejtësisë, të drejtat procedurale dhe trajtimit njerëzor, në përputhje me normat ndërkombëtare. Mendimet tona janë me zonjën Cheng dhe familjen e saj gjatë kësaj periudhe të vështirë”, tha ajo.

E lindur në Yueyang të provincës jugore Hunan, në vitin 1975, Cheng u transferua në Melburn me prindërit e saj në moshën 10-vjeçare.

Ajo filloi karrierën e saj si reportere biznesi në vitin 2001 dhe u bashkua me CCTV News, tani CGTN, në vitin 2002. Ajo është e martuar dhe ka dy fëmijë.

Tensionet diplomatike dhe tregtare midis Pekinit dhe Kanberrës kanë vazhduar që prej më shumë se një viti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re