Gazetarja e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, ishte 150 metra larg forcave izraelite kur u vra në Jenin të Bregut Perëndimor.

Sipas lajmit të gazetës izraelite “Haaretz”, në hetimin e parë nga ushtria izraelite “ende nuk është sqaruar nëse zjarri që vrau gazetaren Abu Akleh teksa ajo po kryente detyrën është hapur nga Izraeli apo nga forcat e armatosura palestineze”.

Në hetim thuhet se kur u qëllua ndaj gazetares Abu Akleh, ajo ishte 150 metra larg forcave ushtarake izraelite.

Në lajmin e “Haaretz”, thuhet se ushtarët e forcave speciale izraelite hapën dhjetëra herë zjarr gjatë operacionit në Jenin, por ende nuk dihet nëse plumbi që shkaktoi vdekjen e saj është hapur nga Izraeli apo Palestina.

Në lajm thuhet se plumbi që goditi kokën e Abu Akleh dihet se vinte nga pushka automatike 5.56 mm e prodhimit amerikan, M16, por se kjo armë përdorej edhe nga ushtria dhe celulat izraelite në Bregun Perëndimor.

Nga ana tjetër, gazeta “Yediot Ahranot” bëri të ditur se ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, ka kërkuar nga qeveria palestineze që plumbin që vrau Abu Akleh t’ua dorëzojë autoriteteve izraelite për ekzaminim balistik.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re