Një gazetar palestinez dhe fëmija i tij janë vrarë herët në mëngjes pasi avionët izraelitë bombarduan shtëpinë e saj në Gaza.

Agjencia palestineze e lajmeve ‘WAFA’ raportoi se avionët luftarakë izraelitë lëshuan raketa të shumta në një banesë në zonën Al-Zawaida në qendër të Rripit të Gazës, ku si pasojë humbi jetën gazetarja Duaa Sharaf dhe fëmija i saj.

Duaa Sharaf është gazetarja e 24 e vrarë në sulmet izraelite në Gaza.

Në një postim në Telegram, ‘Voice of Al-Aqsa Radio’ konfirmoi vdekjen tragjike të gazetares, prezantuese e programit për stacionin e radios, për shkak të sulmit izraelit që shënjestroi shtëpinë e familjes së saj.

Konflikti në Gaza filloi kur grupi palestinez Hamas më 7 tetor nisi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm i shumë-anshëm, që përfshinte një breshëri lëshimesh të raketave dhe depërtimesh në Izrael përmes tokës, detit dhe ajrit.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi një bombardim të pamëshirshëm të objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës.

Mbi 7.900 njerëz janë vrarë në konfliktin e vazhdueshëm, përfshirë të paktën 6.546 palestinezë dhe 1.400 izraelitë.

2,3 milionë banorët e Gazës kanë mbetur pa ushqim, ujë, ilaçe dhe karburant, ndërsa autokolonat e ndihmave të lejuara në Gaza kanë transportuar vetëm një pjesë të asaj që nevojitet.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re