Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në takimin “Strategjia e specializimit inteligjent në Shqipëri (S3)” me fokus tek sektori energjitik. Ministrja tha se sektori i energjitikës është një nga sektorët më dinamikë falë investimeve të bëra.

Balluku shtoi se në muajt e ardhshëm do të ketë një projekt konkret sa i përket gazifikimit të Korçës. Sipas saj, me nisjen e gazifikimit të Korçës do të hapet një faqe e re në sistemit energjitik shqiptar, më qëllim për të vazhduar më pas shtrirjen në Pogradec, në Fier apo edhe në Elbasan.

“Një nga çështjet që ne e themi shpesh është gazifikimi i vendit, një pjesë e strategjisë së qeverisë për zhvillimin energjitik. Duke parasur parasysh zhvillimin e industrisë dhe turizmit, gazifikimi i vendit nuk është më një utopi por një nevojë bazike. Mund të them që projekti im Korçës do të jetë pilotimi i parë. Në 12 muajt e ardhshëm do të shikojmë një projekt konkret që të zhvillohet në Shqipëri duke i dhënë edhe një mundësi tjetër shfrytëzimi TAP-it. Pra duhet të kthehet në një burim gjenerues i projekteve të reja. Me nisjen e gazifikimit të Korçës do të hapim një faqe të re të sistemit energjitik shqiptar, që të vazhdojë shtrirja në Pogradec, në Fier apo edhe në Elbasan. “, tha ministrja.

Balluku u ndal gjithashtu edhe tek plani për të rritur kapacitetet prodhuese të vendit të burimeve të rinovueshme.

“Ne vazhdojmë me planin tonë për të rritur kapacitetet prodhuese të vendit, kryesisht me burime të rinovueshme deri në vitin 2029 me 4 terravat duke e kthyer Shqipërinë në një forcë eksportuese të energjisë së rinovueshme, gjë që dikur ka qenë një utopi ndërkohë që sot është një realitet pasi një pjesë të këtij premtimi kemi nisur ta realizojmë dhe për hapat e tjerë kemi plane konkrete të bazuara mbi analiza dhe projekte të qenësishme.“, shtoi Balluku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re