Politikani i ekstremit të djathtë, anti-islamiku Geert Uilders, ka kaluar pritshmëritë duke arritur një fitore të madhe në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Holandë.

 

Pas 25 vitesh në parlament, partia e tij ka fituar 37 vende, me një diferencë të madhe ndaj rivalëve të tij më të afërt, një aleancë e krahut të majtë.

 

Fitorja e tij pritet të lëkundë Holandën, por edhe të gjithë Bashkimin Europian.

 

Gert Uilders, një tifoz i kryeministrit të Hungarisë Viktor Orban, me frymë anti-islamike është zotuar të ndalojë të gjithë emigracionin, të ulë pagesat holandeze në Bashkimin Evropian dhe të bllokojë hyrjen e çdo anëtari të ri, përfshirë Ukrainën.

 

Megjithatë, për t’u bërë kryeministër Uilders do duhet të bindë partitë e tjera për një koalicion me të paktën 76 vende në parlament.

 

Gjatë fushatës, ekstremisti i djathtë shfrytëzoi zhgënjimin në rritje ndaj emigracionit, duke premtuar kufijtë e mbyllur, ndalimin e Kuranit dhe të xhamive.

 

Para zgjedhjeve, tre partitë e tjera të mëdha përjashtuan pjesëmarrjen në një qeveri të udhëhequr nga Uilders për shkak të politikave të tij të së djathtës ekstreme. Por kjo mund të ndryshojë për shkak të numrit të lartë të votave që ai fitoi.

 

Aleanca e krahut të majtë e udhëhequr nga ish-komisioneri i BE-së Frans Timmermans qëndron e dyta me 25 vende në parlament.

 

E treta renditet politikania me origjinë turke, e qendrës së djathtë Jeshilgëz, dhe i katërti deputeti holandez Omtzigt i cili e krijoi partinë e tij vetëm disa muaj më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re