Skip to content

Genc Burimi: Mazhoranca e Ramës në dyert e puçit kushtetues

Genc Burimi Edi Rama

Nga Genc Burimi

Një puç kushtetues po luhet sot në Komisionin e Ligjeve dhe atë të të Drejtave të Njeriut, me fokus vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve. Qeveria po vjen me një projektligj që e injoron gardianen e Kushtetutës. Ministri i Drejtësisë, Gogu, pa iu dredhur qerpiku dhe gjuha, deklaron me ton marcial, si të ishte gjeneral, se për pagat në drejtësi vendos Parlamenti, jo Gjykata Kushtetuese.

Ai thyen frikshëm dhe me vetëdije nenin 132 të Kushtetutës: “Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare”. Të njëjtin ton ushtarak adoptoi edhe deputeti socialist Bido, referues në këtë dosje para Komisionit të të Drejtave të Njeriut me fjalët : vendos Sovrani, domethënë, “ne mazhoranca socialiste” dhe jo Kushtetuesja.

Gjykata Kushtetuese sapo ka vendosur si të panegociueshme dy parime në vendimin e saj, në konfliktin mbi pagat e magjistratëve:

Rritja e pagave e magjistratëve të jetë në minimum 44% (duket marre parasysh rritjet e pagave ne Administraten shqiptare që prej nje dekade).

Referencë ligjore për pagën e magjistratëve nuk mund të jetë paga e Presidentit të Republikës. (Reforma në drejtësi më 2016 sanksionoi si referencë pagën më të lartë në Administratën e lartë publike)
Ministri i Drejtësisë, Gogu, vjen në komisionin parlamentar për të mbrojtur një projektligj që i hedh poshtë në mënyrë skandaloze këto dy vendime.

Në vend të rritjes minimale prej 44% të pagave që ka vendosur Gjykata Kushtetuese, mazhoranca nuk “lëshon” më shumë se 6%. Në vend të heqjes së pagës së Presidentit si referencë për pagat e magjistratëve, mazhoranca këmbëngul te kjo referencë page duke injoruar se çfarë kishte imponuar ajo vetë me kartona më 2016, kur bënte për referencë pagat në Administratë.

Vetë paraqitja e një projektligji të tillë, pa shkuar deri te miratimi i tij me kartonët e PS-së më 17 shtator në seancë plenare, përbën elementë të një puçi kushtetues. Nëse Parlamenti sot, duke abuzuar me termin “në emër të Sovranit”, vihet mbi Kushtetutën dhe rojën e saj që është Gjykata Kushtetuese, ç’ndodh nesër, kur një parlament ogurzi mund të vendosë po “në emër të Sovranit”, rrëzimin e pluralizmit në Shqipëri dhe shpalljen e Edi Ramës perandor.

Opozita duhet urgjentisht t’i kërkojë një prononcim përfaqësuesisë së Bashkimit Europian në Tiranë, si familja e madhe e demokracive ku Shqipëria kërkon të hyjë. Pyetja: a po vepron parlamenti shqiptar konform rregullave të shtetit të së drejtës? A ekziston qoftë edhe një vend i vetëm në BE ku vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen? Shqiptarët besojnë tek Europa, kjo mos të heshtë , t’u tregojë të vërtetën!