Mjeku imunolog Genc Sulçebe ka deklaruar në studion e ABC me gazetaren Jonida Shehu se duhet që 70% e qytetarëve në Tiranë të bien në kontakt me virusin për të arritur atë që quhet imuniteti i tufës. Ai deklaroi se do duhen të paktën edhe tre muaj për të arritur një shifër të tillë por shtoi sëmundja prapëseprapë nuk do zhduket por do të kemi ulje të infeksionit.

“Kemi rritje të imunitetit. Asnjëherë testet nuk janë mjaftueshëm sa duhet. Nuk ështe thjeshtë të bësh testime masive. Mangësi të testimeve ka pasur kudo. Gjurmimi do mjaft burime njerëzore sepse do të thotë të kapësh kontaktet e personave që janë të sëmurë. Nuk është e lehtë. Do shumë asete dhe nuk mund të themi se mund të realizohet përveçse në disa vende të Azisë Lindore. 

Shifra ishte një surprizë. Ne prisnim maximumi 30% dhe pak a shumë duke parë ecurinë e epidemisë që nga korriku e deri tani shikonim nga 30 deri në 35%. Kemi pasur përhapje të vazhdueshme të infeksionit. Imuniteti i tufës mendohej se do të arrihej me 60% të popullatës të imunizuar. Kjo popullatë shërben si barrierë mbrojtëse.

Është evidentuar në muajt e fundit që infeksioni është rritur. Nëse ne në Tiranë jemi 50% duhet të shkojmë te 70% për të arritur imunitetin e tufës. Duhen të paktën edhe tre muaj. Kur arrihet imuniteti nuk zhduket sëmundja por kalohet në një situatë endemike. Ekziston infeksioni por më pak se tani”, tha Sulçebe

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re