Ish-deputetja demokrate, Jorida Tabaku vazhdoi denoncimet për shembjen e shkollës ‘Sami Frashëri’ në Tiranë.

“Gjashtë muaj më parë, në prill të vitit 2020, Erion Veliaj, kur e gjithë Shqipëria ishte mbyllur nga pandemia prishi shkollën e mesme Sami Frashëri.

Shkolla u shemb pa asnjë plan, u shemb kur nuk ekzistonte asnjë projekt. Për gjashtë muaj me radhë gërmadhat e shkollës Sami Frashëri ishin aty në oborr, ndërkohë që tenderat dështonin një nga një Erion Veliaj gënjente publikisht për arsyet e shembjes të shkollës ashtu siç gënjente publikisht dhe për fondet që do të përdoreshin për rikonstruksionin shkollën!” tha Tabaku.

Tabaku solli edhe citimin e Erion Veliajt në shkurt 2020.

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Brukseli dhe nga kryeministri dje ishte që e gjithë shumë që u kërkua u realizua, shkolla Sami Frashëri do të jetë e para që do të përfitojë nga grantet e qeverisë të fituara në Bruksel për bashkinë e Tiranës,” shprehej Veliaj.

Sipas Tabakut, kjo është një gënjeshtër.

“Erion Veliaj gënjen. Kjo shkollë nuk ndërtohet nga fondet e Bashkimit Europian, por nga paratë e taksapaguesve të Tiranës dhe të Shqipërisë.

Ky është një fakt që vërtetohet si nga dokumentet e Bashkimit Europian dhe të UNDP-së, por njëkohësisht dhe nga tabela që është shfaqur vetëm dje në hyrje të shkollës. Vlera e kësaj shkolle pritet që të jetë rreth 4.5 milion euro ndërkohë që shkollat e ngjashme me fondet e Bashkimit ndërtohen vetëm me 700 mijë euro.

Erion Veliaj gënjen kur tha se shkolla Sami Frashëri u prish sepse do të ndërtohet me fondet e Bashkimit Europian, gënjen kur tha se u prish dhe se do të rindërtohej prej tërmetit ashtu siç gënjen kur tha se shkolla kishte një projekt. Në prill të vitit 2020 nuk kishte as projekt as tender për shkollën Sami Frashëri.

Vendi ku më parë ngrihej shkolla Sami Frashëri, këtu pas krahëve të mia, është një provë e gënjeshtrave, e korrupsionit, e babëzisë dhe abuzimit me pushtetin të Edi Ramës dhe Erion Veliaj, kopjes së tij në krye të bashkisë së Tiranës.

Sot, në nxitim e sipër gënjeshtari ka filluar që ta pastrojë vendin. Ka filluar që t’i heq provat e krimit por asgjë nuk e mbulon aferën korruptive që ndodhi në shkollën Sami Frashëri,” deklaron Tabaku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re