Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit duket se demokratët kanë filluar punën për zgjedhjet lokale. Për drejtimin e bashkisë Tiranë, kandidati potencial është Gerti Bogdani, më i votuari në Kryesinë e PD.

Në një intervistë për A2CNN ai shpjegon se kandidimi i tij nxitet nga preferencat e shumta që ka marrë nga baza e demokratëve në kryeqytet, por beson se ka edhe vlerësimin e lidershipit të PD-së.

“Është diskutuar vjet në bazën e Partisë Demokratike, ku u morën propozimet nga baza për përfaqësuesit në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe kryetarët e bashkisë në qytete të ndryshme. Dhe një propozim masiv nga baza e Tiranës ka sjellë në këtë diskutim ku ne jemi sot. Nëse lidershipi i PD do ta shohë të arsyeshme, unë nuk iu bëj bisht sfidave, por përballem me to”, u shpreh Bogdani.

Përballë rrezikut të një tjetër masakre zgjedhore në garën përballë Veliajt, Gert Bogdani gjen forcën te shpresa për ndryshim e qytetarëve të Tiranës.

“Ajo që është e rëndësishme është shpresa. Dhe nëse kanë shpresë për një të ardhme më të mirë, për një qytet më të mirë, nuk ka rëndësi se çfarë makinacionesh bën Veliaj”, shtoi Bogdani,

Punën për të marrë Bashkinë më të madhe në vend, e ka nisur që tani, me shpresën se Venecia nuk do ta lërë të presë dy vjet deri në zgjedhje.

“Nëse Komisioni i Venecias jep një opinion pozitiv për ribërjen e zgjedhjeve të parakohshme, atëherë Partia Demokratike do të ishte pa diskutim gati pasi është shumë e rëndësishme për të rindezur shpresën e demokratëve dhe qytetarëve”, përfundoi Bogdani.

Në zgjedhjet për Kryesinë e partisë, Gert Bogdani rezultoi më i votuari, gjë të cilën e shpjegon me punën që ka zhvilluar me strukturat e demokratëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re