Vetëm 20 metra nga komisariati i policisë së Rrëshenit, në mes të ditës, disa persona të maskuar që ndodheshin në një fuoristradë të zezë, ekzekutuan me breshëri kallashnikovi, 60-vjeçarin Martin Bardhi.

 

Atentati i mirëorganizuar, i cili mund të kishte përfunduar në një masakër, pa pas edhe 3 të plagosur: Olti Gjini, pronar i picerisë ku ndodhi vrasja, Ilir Bardhoku ish-nëpunës i bashkisë Mirditë dhe Indrit Bardhi djali i xhaxhait të viktimës.

 

Të tre të plagosurit, që tashmë po marrin ndihmë mjekësorë në spitalin e Traumës në kryeqytet, ndodheshin në një tavolinë me Martin Bardhin jashtë ambienteve të picerisë, ku kishte edhe kalimtarë të rastit.

 

Rreth orës 10 e 20 një fuoristradë e zezë, brenda të cilës dyshohet se ndodheshin 3 persona, ndaloi për disa çaste përballë lokalit. Agresorët qëlluan me breshëri drejt viktimës, ndërsa  policia më vonë gjeti mbi 30 plumba në vendin e ngjarjes.

 

Pak orë më vonë, makina e autorëve u gjet duke u djegur në fshatin Geziq të Mirditës.

 

Viktima Martin Bardhi është një emër i njohur për policinë. Ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi në mars të këtij viti u arrestua kur bashkë me të birin Erind Bardhi, qëlluan me armë drejt makinës së Sajmir Reçit.

 

41-vjeçari Reçi është nipi i Kastriot Reçit i ekzekutuar në vitin 2020.

 

Paraprakisht  dyshohet se ngjarja e sotme  ka lidhje pikërisht me përplasjet me fisin Reçi. Policia ndërkaq ka ngritur disa  pika kontrolli në çdo aks rrugor dhe ka shoqëruar në komisariat edhe një person.

 

Hakmarrja ka shkaktuar një zinxhir krimesh në Rrëshen, që kanë lënë pas disa të vrarë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re