Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçak ka reaguar pas bërjes publike të lajmit se Partia Demokratike ka paraqitur kallëzim penal me 6 akuza për tenderit e ushqimit. “E mirëpres padinë e PD dhe e inkurajoj SPAK që ta hetojë me përparësi këtë akuzë sepse sot qytetarët kanë shumë nevojë për qartësi. PD ka të drejtë kur thotë që do të ishte veçanërisht e ulët e kriminale nëse një ministër do të përfitonte nga pandemia për të bërë korrupsion. Por është po aq e ulët e imorale në qoftë se opozita e një vendi në kohë lufte, jo vetëm s’kontribuon në përpjekjen e përbashkët për të mundur armikun e për të shpëtuar jetë, por vazhdon me shpikje të modelit Babale në një përpjekje për të sabotuar luftën e minuar përpjekjen tonë të përbashkët për t’i bërë ballë me sa më pak humbje e vuajtje armikut të padukshëm!”, shkruan Xhaçka në rrjetet sociale.
Ministrja e Mbrojtjes në reagimin e saj pretendon se nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore për këtë procedurë. ” I takon SPAK të hedhë dritë mbi këtë çështje me të gjithë urgjencën që dikton situata e luftës ku jemi. Kemi bërë çdo gjë sipas ligjit e procedurës dhe jam optimiste se në fund të hetimit qytetarët do të kuptojnë qartë si drita e diellit se kjo akuzë s’është veç rivënia në skenë e versionit më të fundit të Babales”, thekson Xhaçka.
Në kallëzim e saj, PD-ja sa i përket tenderit me vlerë 1.5 milion euro kërkon që SPAK të hetojë për 6 veprat penale të referuara në kallëzim, ku përfshihen “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.
