Ditët e fundit, vendi ynë ka hasur një rritje të numrit të të prekurve me koronavirus. Të infektuar me virusin e ri janë edhe punonjësit e Policisë së Shtetit.

Sipas ABC News, nga 43 oficerë të prekur aktualisht në të gjithë vendin, gjashtë prej tyre qëndrojnë të shtruar në Spitali Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”. Ata janë të moshës deri në 55 vjeç me sëmundje bashkëshoqëruese.

Që nga fillimi i pandemisë, në të dy spitalet Covid janë shtruar gjithsej 32 efektivë. 62 të tjerë janë vetëkarantinuar në banesat tyre, disa prej të cilëve janë në pritje të përgjigjes së tamponit që kanë kryer.

ABC News mëson se në dy ditët e fundit, pozitivë me koronavirus janë konfirmuar gjashtë efektivë. Pjesa më e madhe e të prekurve që nga nisja e pandemisë janë punonjës së rendit dhe ata të pritjes së qytetarëve. Virusin dyshohet ta kenë marrë gjatë kryerjes së detyrës, por ka pasur raste kur disa të tjerë janë infektuar nga familjarët. Numrin më të lartë të të prekurve e mban kryeqyteti, duke u pasuar nga Korça, Elbasani, Lezha e Shkodra.

Fatkeqësisht, që nga fillimi i pandemisë, 9 punonjës që Policisë së Shtetit nuk kanë mundur ta mposhtin virusin, duke ndërruar jetë. Ndërsa gjithsej janë prekur me COvid, 303 efektivë në të gjithë vendin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re