Prokuroria e Elbasanit ka çuar në gjyq gjashtë punonjës policie, pasi këta nuk vendosnin gjoba ndaj drejtuesve të automjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.
Edhe pse i kapnin në shkelje, ata nuk i ndëshkonin, duke mos bërë detyrën e tyre me qëllim përfitime të paligjshme.
Sipas hetimeve, disa prej tyre akuzohen për korrupsion pasiv, që do të thotë se dyshohet se kanë marrë ryshfet për të mos vendosur gjobat, ndërsa të tjerët për shpërdorim detyre, pra që nuk e kanë bërë punën siç duhet.
Gjashtë punonjësit e policisë të dërguar në gjyq: Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T.
Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), ku janë zbuluar disa raste kur policët kishin rënë dakord mes tyre të mos ndëshkonin shkelësit, duke dëmtuar financat e shtetit dhe besimin e qytetarëve te policia.
Njoftimi i Prokurorisë së Elbasanit:
Nuk vendosnin gjoba edhe pse konstatonin shkelje nga drejtuesit e mjeteve, Prokuroria Elbasanit dërgon në gjyq gjashtë policë për ‘Korrupsion pasiv’ e ‘Shpërdorim detyre’
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq gjashtë punonjës policie, shtetasit Xh.S., E.H., A.T., N.Xh., E.K., dhe B.T. nën akuzë për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’ dhe ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 259/1, 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Në përfundim të një hetimit të plotë, të gjithanshëm duke përdorur dhe metodat proaktive të hetimit në bashkëpunim dhe me AMP, Dega Elbasan-Korçë, mbi procedimin penal nr.377 të vitit 2024, u arrit të identifikohen disa raste të korrupsionit të punonjësve të policisë ndaj drejtuesve të mjeteve me qëllim mosndëshkimin e tyre administrativisht.
Shtetasit XH.S, E.H, A.T, N.XH punonjës të policisë pranë Seksionit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë akuzuar respektivitsht për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, më shumë se njëherë të parashikuar nga neni 259/1, 248, të Kodit Penal. Ndërsa shtetasit E.K, B.T, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.
Gjatë veprimtarisë së tyre këta punonjës policie, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, edhe pse konstatonin rastet e kundërvajtjes administrative të drejtuesve të mjeteve nuk procedonin me dashje me vendosjen e masës administrative duke dëmtuar interesat financiarë të shtetit dhe interesin publik.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, i bën thirje shtetasve që të denoncojnë çdo lloj akti korruptiv apo abuzim me detyrën të çdo funksionari publik me qëllim vendosjen e tyre para përgjegjësisë penale.