Partia Demokratike ka dorëzuar në SPAK kallëzimin penal për abuzimet sipas saj me tenderin e paracaktuar të ushqimeve me vlerë 1.5 milion euro.

Ndër personat e kallëzuar janë Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Ministrinë e Mbrojtjes, shoqëria “EUROVIA” shpk, me administrator Emir Shefiti dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., me administrator Renald Gova.

Partia Demokratike thotë se 6 janë veprat penale të referuara në kallëzim, ku përfshihen “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror”.

Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi, thuhet se Ministria e Mbrojtjes duhet të argumentonte dhe të dokumentonte përzgjedhjen e kandidatëve që ka ftuar në këtë procedurë pa garë.

“Rezulton e provuar në dokumentet e tenderit, se ndryshe nga sa detyron ligji, mungon argumentimi se përse janë ftuar kompanitë e shpallura fituese “EUROVIA” shpknj dhe shoqëria XPERT SYSTEMS sh.p.k., në kushtet ku asnjëra prej tyre nuk është e specializuar në fushën e objektit të prokurimit, por kanë bërë shtimin e objektit të veprimtarisë vetëm disa ditë përpara hapjes së procedurës së prokurimit”, thotë njoftimi i PD.

Gjithashtu, në kallëzim evidentohet se kompania  “EUROVIA” shpknj, nuk përmbush kriterin ligjor të eksperiencës së ngjashme ne fushën e furnizimit me produkte ushqimore  në 3 vitet e fundit. “Kjo kompani, ka shtuar në objektin e veprimtarisë së saj “tregtimin e ushqimeve”, vetëm 6 ditë përpara se të shpallej tenderi dhe për pasojë nuk ka asnjë eksperiencë në tregtimin e produkteve ushqimore. Në këtë rast, shkelja flagrante e ligjit faktohet nga përgjigja e dy pyetjeve të thjeshta:

1- Si e indetifikoi Ministria e Mbrojtjes kompaninë EUROVIA, që vetëm 6 ditë përpara tenderit kishte ndryshuar objektin e veprimtarisë, për t’i dërguar Ftesën për Ofertë në një tender pa garë dhe me negocim të drejtëpërdrejtë? 2- Çfarë ekperience kishte kjo kompani kompjuterash në tregun e shitjes së ushqimeve, që u përfshi në listën e kompanive që duhet t’i dërgohej Ftesa për Ofertë?” – thuhet në kallëzimin e PD.

Sipas kallëzimit të Partisë Demokratike, në rastin konkret jemi përpara veprimeve në kundërshtim me ligjin, për shkak se nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka i është dërguar “Ftesë për Ofertë” kompanive që nuk janë të specializuara në ofrimin e këtyre mallrave dhe janë pranuar dhe marrë në dorëzim mallra dhe furnizime për të cilat këto subjekte nuk plotësonin kriteret ligjore për ti furnizuar.

“Fakti që kompania EUROVIA ka ndërmarrë veprime konkrete për të qënë pjesë e këtij prokurimi, vetëm 6 ditë përpara se ky i fundit të shpallej, tregon që ata kane pasur informcion paraprak, si dhe kanë qënë ne dijeni që do të shpalleshin fitues, duke bashkëpunuar kështu me zyrtarët publikë”, – thuhet në kallzimin,

PD nënvizon se “fakti që këto prokurime korruptive kryen në emër të nje pandemie të rendë që ka pllakosur globin e bën dhe më të rëndë koordinimin kriminal të këtyre shtetasve më qëllimin e vjedhjes dhe grabitjes të fondeve publike. Fakti që për 15 ditë nuk morën asnjë masë për t’u furnizuar me këto produkte, provon qëllimin kriminal për paracaktimin e fituesit të këtij tenderi”.