Skip to content

“Gjatë tërheqjes së SHBA-së aeroporti i Kabulit pësoi dëme në vlerë miliona dollarë”

Sipas një zyrtari të administratës talebane, Aeroporti Ndërkombëtar në Afganistan “Hamid Karzai” në kryeqytetin Kabul pësoi dëme me vlerë miliona dollarë gjatë tërheqjes së forcave amerikane më 31 gusht.

Ushtruesi i detyrës së kreut të aeroportit të Kabulit, Mawlavi Abdul Hadi Hamadan për AA tha se dëmi vetëm në terminalin e aeroportit është 1 milion dollarë.

“Sistemi i radarëve si dhe disa avionë dhe automjete në aeroport po ashtu u dëmtuan. Nëse bëhet një vlerësim i plotë i dëmit, do të jetë miliona dollarë”, tha ai.

Para largimit, sipas kreut të aeroportit, forcat amerikane shkaktuan dëme të mëdha në zonën teknike të aeroportit dhe në terminal. Ai tha se ata nuk kursyen as mallrat më të vogla, si karriget, ulëset, televizorët dhe kompjuterët në sallat e aeroportit.

Ai shtoi se problemet teknike në terminalin e brendshëm të aeroportit janë zgjidhur dhe fluturimet e brendshme tashmë kanë filluar.

Hamadan theksoi se avionët nga vende të ndryshme filluan të mbërrijnë në aeroportin e Kabulit, duke shtuar se së fundmi avionë nga Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Pakistani dhe Bahreini sollën ndihmë humanitare për popullin afgan.

“Përpjekjet për fillimin e fluturimeve ndërkombëtare dhe për zgjidhjen e problemeve të popullit afgan dhe të huajve në vend po vazhdojnë”, u shpreh Hamadan.

Sipas tij, sapo të rifillojnë fluturimet ndërkombëtare, administrata e re talebane do të krijojë marrëdhënie të mira diplomatike, politike dhe ekonomike me botën.

Talebanët pushtuan vendin e shkatërruar nga lufta në mes të muajin gusht dhe javën e kaluar shpallën një kabinet të përkohshëm 33-anëtarësh.