Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka bërë një thirrje publike për ndërhyrje urgjente në zonën pranë Kishës së Shën Ndout në Laç, e cila prej dy vitesh vijon të qëndrojë e dëmtuar nga zjarret që shkrumbuan kurorën e gjelbër dhe pishat përreth.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj kritikon institucionet për mungesën e veprimit dhe thekson se deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë masë për pastrim apo për mbjellje të reja.

Postimi i Deputetit Agron Gjekmarkaj: 

Thirrje për ndërhyrje urgjente në zonën pranë Kishës së Shën Ndout, Laç

Kanë kaluar tashmë dy vite nga djegia masive e pishave dhe e gjithë kurorës së gjelbër pranë Kishës së Shën Ndout në Laç, por asnjë masë nuk është marrë deri më sot, as për mbjelljen e pishave të reja, as për pastrimin e drurëve të djegur apo mbetjeve të tjera.

Kjo gjendje është e papranueshme, sidomos duke pasur parasysh se qindra mijëra besimtarë dhe turistë të huaj vizitojnë çdo vit këtë vend të shenjtë, i cili përveç vlerës fetare, ka edhe rëndësi të madhe historike e mjedisore.

I bëj thirrje Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Kurbinit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për:

• Pastrimin e zonës nga mbeturinat dhe drurët e djegur;

• Hartimin e një projekti rehabilitimi të gjelbërimit me pisha dhe bimësi vendase;

• Garantimin e mbrojtjes së mjedisit përreth këtij vendi të shenjtë.

Ruajtja e natyrës dhe e shenjtërisë së këtij vendi është detyrim moral dhe qytetar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re