Autoritetet libiane sot kanë zbuluar dy varreza të reja masive në qytetin Tarhuna, 90 kilometra në verilindje të kryeqytetit Tripoli

Abdelaziz al-Ja’fari, zëdhënës i Autoritetit të Përgjithshëm për Kërkimin dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur tha se të dy varrezat u zbuluan në zonën Mashru’a Alrabet në Tarhuna, një ish-bastion i forcave të komandantit renegat Khalifa Haftar.

Ai, megjithatë, nuk specifikoi sa trupa u zhvarrosën nga varret.

Sipas burimeve zyrtare libiane, forcat e Haftarit dhe milicitë e lidhura me të kanë kryer krime lufte dhe akte gjenocidi në periudhën midis prillit të vitit 2019 dhe qershorit 2020.

Që nga qershori, pas disfatës së forcave të Haftarit në Libinë perëndimore, qeveria libiane zbuloi rreth 300 trupa të pajetë në varreza masive në Tarhuna dhe në jug të Tripolit.

OKB-ja e njeh qeverinë e kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritetin legjitim të vendit, pasi Tripoli ka luftuar kundër milicëve të Haftarit që nga prilli i vitit 2019 në një konflikt që ka marrë mijëra jetë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re